Këtë vikend, respektivisht të dielën do të fillojë Liga e Veteranëve, ku ish-basketbollistë të shumtë do t’i rikthehen parketit, aty ku kanë kaluar dekada të tëra.

Naim Hajrizi, kryesues i Komisionit të Veteranëve ka folur për idenë e themelimit të Ligës së Veteranëve, ku nuk ngurroi që të tregojë se ideja ishte i tij.

“Ideja ka lindur nga unë dhe Blerinë Vuniqi për të filluar një aktivitet për veteranë. Me njoftimin e disa ish-basketbollistëve nga klubet e Kosovës, të gjithë e kanë mirëpritur dhe e kanë përkrahur këtë ide”, tha Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së.

Xhiroja e parë e kësaj lige do të zhvillohet këtë të diele në Therandë, ndërsa Hajrizi tregoi se pjesëmarrëse do të jenë gjashtë skuadra.

“Këtë fundjavë do të fillojmë me xhiron e parë, ku do të marrin pjesë gjashtë skuadra, Trepça, Prishtina, Peja, Bashkimi, Ylli dhe Vëllaznimi. Besoj se shumë shpejt do të paraqiten edhe skuadra tjera që kanë interesim dhe do të bëhemi me tepër skuadra”, shtoi ish-basketbollisti mitrovicas.

Po ashtu, Hajrizi tregoi se është tejet i gëzuar që kjo iniciativë e tij ka hasur në mirëkuptim të plotë me FBK-në.

“Jam shumë i gëzuar që kjo iniciativë ka hasur në mirëkuptimin e Federatës dhe ata janë shumë të interesuar që kjo ligë të ketë suksese dhe të ketë vazhdimësi. I uroj të gjitha ekipeve pjesëmarrëse për suksese, por para se gjithash shëndet dhe kënaqësi në Lojërat të cilat që na presin”, tha Hajrizi.

Federata e Basketbollit e Kosovës në kuadër të Planit Strategjik 2021-2025 e ka përfshirjen e gjithë komunitetit të basketbollit në aktivitetet e saj, andaj formimi i Komisionit të Veteranëve është një nga objektivat për realizimin e këtij qëllimi.  /TV Malisheva 

Share.