Ueb faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës vazhdon të mbetet jashtë funksionit pas sulmit të mbrëmshëm kibernetik.

Prej disa orësh në faqen e kësaj ministrie qëndroi mesazhi “Sulmuar nga ekipi grek i hakerëve Netwatchers” ndërsa të gjitha lidhjet e publikuara çojnë në një video në YouTube me titullin “Maqedonia e famshme”.

Nga Ministria e Arsimit thonë se nuk ka hapësirë për t’u shqetësuar duke shtuar se asnjë bazë e të dhënash të qytetarëve nuk janë të vendosura në këtë faqe.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në komunikim me Qendrën Kombëtare CIRT për Incidentet Kompjuterike pranë Agjencisë së Komunikimeve Elektronike, ku është raportuar rasti dhe nga ku presim, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ndërmarrin veprime konkrete për gjetjen e vendndodhjes dhe burimin e sulmeve. Ndërkohë, shërbimi IT i Ministrisë së Arsimit, me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm, po ndërmerr veprime për forcimin e sigurisë së faqes së internetit, pas së cilës do të aktivizohet sërish. Nuk ka nevojë të shqetësoheni për shkarkimin e supozuar të disa bazave të të dhënave të qytetarëve, sepse nuk ka baza të tilla të dhënash në faqe dhe e njëjta ka karakter informativ”, njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kjo nuk është hera e parë që faqja e internetit e Ministrisë së Arsimit ballafaqohet me sulme të tilla. Në muajin gusht nuk funksionoi kjo faqe, ndërkohë që në të njëjtën periudhë nën sulm kibernetik ishte edhe sistemi elektronik i mbështetjes iKnow i Universitetit ” Shën Kirili dhe Metodi”.

Gjithashtu, në shkurt të këtij viti, faqet e Ministrisë së Arsimit, asaj të Punëve të Jashtme, Qeverisë dhe Bankës Popullores ishin në shënjestër të sulmeve nga persona që pretendonin të ishin pjesë e grupit grek të hakerëve “Powerful Greece” në Twitter.

MASH-i pretendoni atë kohë se faqja e tyre nuk ishte cak i sulmeve hakerësh, se funksiononte pa ndërprerje dhe se regjistrimet që u publikuan më pas në Twitter për një sulm të dyshuar hakerësh nga Greqia, nuk ishin nga ambientet e objektit të Ministrisë./Alsat.mk

/TV Malisheva

Share.