Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se nuk e ka parë draftin e marrëveshjes i cili iu prezantua të martën krerëve të partive opozitare dhe as nuk ka informata për përmbajtjen e tij.

Haliti tha se krejt çka ka dëgjuar rreth këtij dokumenti është ajo çka është publikuar në medie, pasi kryetarin e partisë, Memli Krasniqi nuk e ka takuar gjatë ditës.

Megjithatë, Haliti beson se Krasniqi do ta bëjë publik dokumentin ditëve në vijim në Grupin Parlamentar, Kryesinë e partisë si dhe në Këshillin Drejtues.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Haliti tha se nëse kërkesa e ndërkombëtarëve është që drafti i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mos të publikohet, mirë është që të mbahet fjala.

“Nga ajo që unë e kam parë në medie, ata kanë qenë bashkë në takim me ndërkombëtarët, por po besoj nëse njëri e ka parë, e kanë parë të gjithë dhe nëse ka pas marrëveshje konfidencialiteti mos me tregu diçka më shumë, atëherë e kanë ruajt konfidencialitetin dhe Ramushi nuk ka thënë diçka që kuptohet për opinionin dhe tha që unë e kam lexu dhe nuk ka diçka më konkrete. Nuk kam biseduar me kryetarin e partisë, ishte vonë dhe unë nuk isha në qytet. Sigurisht që do të ketë njoftim edhe për Grupin Parlamentar, edhe kryesinë, edhe Këshillin Drejtues por problemi është që nëse është konfidenciale, unë nuk ia kisha preferuar të flas sepse nuk është mirë që ne ta japim fjalën dhe kur dalim flasim me shoqërinë dhe pastaj vjen radha tjetër e takimit kur askush nuk të beson”, u shpreh Haliti.

Ndërsa, i pyetur pse është kaq i nevojshëm ky konfidencialitet i dokumentit, Haliti tha se një gjë e tillë bëhet për një arsye.

“Sepse nuk është deklaruar pajtueshmëria, po besoj kjo është e të dy palëve ende e të dy palëve ashtu siç nuk është deklaruar pajtueshmëria në Kosovë lidhur me draftin e marrëveshjes dhe ky draft pas pajtueshmërisë së kryeministrit të Kosovë që e përfaqëson Kosovën dhe ndërmjetësuesve atëherë po besoj që ky draft shkon në Kushtetuese dhe Kushtetuesja e thotë fjalën e vet. Nëse ne e kishim atë tekst, me siguri që do të kishim mjaft punë,do të kishte edhe debate nëpër televizione. Nuk e besoj që do ta ndihmonte procesin sepse Qeveria besoj ka ekspertizë të mjaftueshme për të parë se këto vërejtjet që janë dhënë nga Gjykata Kushtetuese a janë marrë parasysh a s’janë marrë parasysh se Gjykata Kushtetuese mbi debatet dhe po besoj që nuk ka nevojë të diktohet nga debatet për me marrë vendimet”, u shpreh Haliti.

Ai tha se është për transparencë por sipas tij duhet me ditë se gjithmonë, gjithçka nuk është për medie.

/TV Malisheva

Share.