Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se pako emergjente e qeverisë ka qenë e vonuar dhe jo gjithëpërfshirëse.
Në seancën e Kuvendit Hamza tha se bizneset nuk janë përkrahur veçse një pjesë të punësuarve janë kompensuar me pagën 170 euro por që sipas tij nuk dihet si do të vazhdohet tutje me këtë ndihmë financiare.
Hamza: Qeveria nuk i ka përkrahur bizneset
“Bizneset nuk janë përkrahur, një pjesë e të punësuarve në sektorin privat janë kompensuar me një pagë simbolike prej 170 euro dhe këtë jo të gjithë, dhe për më keq ka momente kur janë bërë selektime, dhe derivon pyetja logjike, si do të vazhdohet pagesa për muajt e ardhshëm, si do të bëhet pagesa për maj dhe për tutje, pa u adresuar përmes ligjit kjo pothuajse është e pamundur”, tha ai.
Ish-ministri i Financave tha se ka nevojë të veprohet shpejtë nga qeveria, Banka Qendrore dhe institucionet e tjera rreth rimëkëmbjes pas goditjes së vendit nga pandemia Covid-19.
Hamza: Pako emergjente e qeverisë e vonuar dhe jo gjithpërfshirëse
“Edhe pse pako e vonuar, megjithatë edhe jo gjithëpërfshirëse dhe jo me bazë të qartë legale. Vendimet edhe kur e kanë në momente të caktuara qëllimin e mirë, gjithsesi duhet të jenë ligjore. Po i përmendi vetëm disa ligje që janë cenuar. E para Kushtetuta e Kosovës neni 65 thotë që buxheti është kompetencë e Kuvendit, ligji për ndarjet buxhetore i vitit 2020, ligji për menaxhimin e financave dhe përgjegjësitë, ligji për tatimin në vlerën e shtuar, ligji për tatim të korporatave dhe mos t’i numëroj të gjitha por po ndalem edhe të ligji i borgjit publik, këtu po jam më specifik, neni 3 paragrafi 1.6”, tha ai.
Hamza tha se janë shkaktuar shumë dëme nga pandemia dhe nëse nuk adresohen me urgjencë atëherë ndikimi do të jetë afatgjatë.
Ai tha se qeveria e kaluar ka aprovuar një buxhet ku nuk ka përfshirë fonde të cilat kishin me qenë të nevojshme për adresimin e kësaj çështje.
Sipas tij, shumë kategori nuk janë përkrahur fare.