Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë në qytetin historik në Prizren është hapur Muzeu Lëvizës –”Tirana vjen tek ti”. Përmes këtij aktiviteti synohet promovimi turistik i Tiranës.
Aktivitetet për shënimin e këtij përvjetori fillimisht nisi me një takim në mes të përfaqësuesve nga bashkia e Tiranës dhe kryetarit të komunës së Prizenit, Mytaher Haskuka.
Gjatë hapjes se muzeut lëvizës “Tirana vjen tek ti”, nënkryetarja e Bashkësisë së Tiranës, Anuela Ristani tha se në këtë 100 vjetor vendosën që historinë e Tiranës ta sjellin në vendet me të afërta.
Ajo tha se pandemia ndikoi që shqiptarët në vend që të udhëtonin drejt vendeve tjera të zbulonin thesare të çmuara që i ka toka shqiptare.
Ristani tha se nisja e aktivitetit të muzeut lëvizës në Prizren ishte nisje e mbarë.
Ristani: Ishte mundësi fantastike ta sjellim Tiranën
“Na shërbeu që përpara se ta bëjmë bitën që të di më shumë për ne, le të dimë më shumë ne rreth njëri-tjetrit. Ishte një mundësi fantastike që të sillnim Tiranën, historinë e saj atë që ofron por edhe të mësonim nga të gjitha vendet ku do të shkojmë dhe për t’i treguar secilit nga qytetet tjera që janë pjesë e shoqatës apo në këtë Ballkanin tonë ku flasim shqip se ku janë disa vende miqësore dhe destinacione ku me të vërtetë kalohet mirë, mëson diçka”, tha ajo.
Drejtoresha ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit, Adriola Kambo tha se “Tirana vjen tek ti” është një projekt që synon promovimin e turizmit të kryeqytetit shqiptar.
Kambo: Është një projekt që në koncept është turistik
“Është një projekt që në koncept është turistik që ne të promovojmë njëri-tjetrin dhe t’i japim mundësi njëri-tjetrit që të festojmë por edhe të promovojmë”, tha Kambo.
Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi këtë nismë e ka konsideruar si veçantë dhe kërkoi që të bëhet traditë pasi kjo siç tha ai nuk do ndikoj vetëm në aspektin turistik por edhe në atë historik dhe vëllazëror.
Minxhozi: Edhe një histori të larmishme që duhet studiuar nga secili prej nesh
“Kjo nismë e sotme që është marr në kuadër të Unionit të Bashkive të Rajonit të vlejë për një thellim të mëtejshëm për një gjëmtim më të thellë të Prizrenit të bukur i cili nuk ka vetëm këngë dhe lumenj por ka edhe një histori të larmishme që duhet studiuar nga secili prej nesh”, tha ambasadori shqiptar.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se qëllimi i këtyre aktiviteteve është shkëmbimi kulturor si dhe promovimi i turizmit të Prizrenit dhe Tiranës.
Ai tha se trashëgimia kulturore e Prizrenit vizitohet shumë nga tiranasit prandaj e vlerësoi të nevojshme intensifikimin e bashkëpunimit.
Haskuka: Bashkëpunimi ynë duhet të intensifikohet
“Këtë aktivitet e shoh në atë aspekt qe kryeqyteti i Shqipërisë që sivjet shënon 100 vjetorin e hapjen e saj të parë e ka në qytetin historik të Kosovës shpresoj që ky bashkëpunim edhe përkundër pandemisë të vazhdoj sa më shumë sepse sidomos pandemia na tregoi se duhet të mbështetemi në njëri-tjetrin që të kalojnë këto kohëra të vështira dhe mendoj që bashkëpunimi jonë duhet të intensifikohet”, tha i pari i Prizrenit.
Delegacioni nga Tirana i kryesuar nga nënkryetarja e Bashkësisë së Tiranës, Anuela Ristani dhe të shoqëruar nga kreu i Prizrenit, Mytaher Haskuka sot kanë vizituar edhe panairin e artizanaleve në qytet, parkun e inovacionit dhe trajnimeve si dhe çerdhen publike “11 marsi” në Prizren.
Muzeu lëvizës “Tirana vjen tek ti” do të prezantohen nesër në Gjakovë, më pas edhe në Pejë dhe aktiviteti i fundit do jetë në Prishtinë./TV Malisheva