Në Prishtinë është hapur panairi i festave të fundvitit, në të cilin po marrin pjesë 20 organizata të grave dhe nisma të vogla prodhuese artizanale.
Panairi do jetë i hapur deri në orën 18:00 dhe gjendet në qendrën e trajnimeve “Termokis”. Aty po prezantohen kartolina, punime dore të ndryshme, çokollata dhe çanta të cilat mund të shfrytëzohen si dhurata për festat e fundvitit.
Ky organizim i mundësua nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë së bashku me Klubin Ndërkombëtarë të Prishtinës.
Ulrike Richardson, koordinatore e OKB-së për zhvillim në Kosovë, tha se përmes kësaj ngjarje simbolike po tregohet solidariteti duke fuqizuar gratë, viktimat e dhunës seksuale, fëmijët me aftësi të kufizuara të cilët kishin sjellë punimet e tyre në këtë panair.
Richardson: Përmes këtij aktiviteti po shprehim solidaritetin tonë
“Me të vërtet është e mrekullueshme që shoh kaq shumë njerëz këtu, në veçanti kaq shumë gjëra, kaq shumë kreativitet, kaq shumë talent dhe kualitet. Me të vërtet është një ngjarje simbolike pasi siç e dimë ju kemi afruar sezonit të festave, ku ka shumë konsum, shumë blerje dhe shumë dhe shumë dhurata. Pra kjo është një shfaqje solidariteti, një solidaritet për ata të cilët nuk janë aq të privilegjuar si shumë nga ne. Tematika e ditës së sotme është solidariteti që tregojmë, mirëpo është edhe një mënyrë për të shfaqur mirënjohje dhe falenderime për shumë partnerë tanë, të cilët bëjnë punë të jashtëzakonshme, sa i përket fuqizimit të grave, në dhënien e mundësive për viktimat e dhunës seksuale ose për fëmijët të cilët jetojnë me lloje të ndryshme të aftësive të kufizuara.”, tha ajo.
Kompania dekorative “Grand Decor”, kishte sjell kartolina me mbishkrime e pamje festive.
Shpresa Ismajli nga kjo kompani tha se këto kartolina janë punime dore dhe kanë çmim të volitshëm.
Ismajli: Këto kartolina janë punime dore dhe kanë çmim të volitshëm
“Këto kartolinat i bëjmë punime dore dhe i bëjnë aranzhimet për fund vit për kërshëndella, vitin e ri… 2 euro është e madhja prej kartolinave, e vogla është 1 euro besoj që i arsyeshëm”, tha ajo.
Për festat e fundvitit si dhurata të pashmangshme janë edhe çokollatat.
Ato sot në panairin e festave i ka prezantuar kompania “Chocolate corner”, të cilat dukesh mjaftë të dizajnuara mirë dhe po ashtu shumë të shijshme.
Arjeta Sekiraça nga kjo kompani deklaroi se në muajin dhjetor qytetarët kanë interesim të madh që për festat e fundvitit të bëjnë dhurata të ndryshme nga çokollata.
Sekiraça: Interesimi për të dhuruar çokollata në këtë fundvit është i madh
“Ne jemi prej kompanisë Chocolate Corner nga Prishtina ne merremi me produktet e çokollatave ne prodhojmë pralline, domethënë çokolata të ndryshme por gjithashtu jemi në evente të ndryshme me fontanën e çokollatës siç po shihet edhe këtu në prapavijë me ëmbëlsira të ndryshme që i kemi sjell në panairin e vitit…Sidomos gjatë festave të fundvitit interesimi është shumë i madh dhe ne kemi shumë dhe me shumë kënaqësi i punojmë dhurata tona për klientët tanë”, tha ajo.
Gjatë ceremonisë së hapjes së panairit të festave performoj kori Siparantum.