Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve të 23 prillit në veri. Ai ka deklaruar se ka tendencë për fshehje të realitetit në veri të vendit, për çka theksoi se ky proces nuk është i qëndrueshëm.

Kreu i AAK-së shtoi se duhet të ketë guxim politik për të trajtuar çështje të tilla, të cilat janë aktuale për vendin.

“Unë i bëjë thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim lidhur me këtë situatë. Cili do të ishte ai vendim? Unë besoj shumë, shtyrja e zgjedhjeve”, ka deklaruar Haradinaj.

Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, Haradinaj shtoi se procesi i tashëm i zgjedhjeve nuk e dërgon vendin drejt suksesit.

“Nuk besoj që përfiton Kosova nëse ne e heshtim edhe më tutje gjendjen në veriun e vendit. E dini se zgjedhjet e shpallura herën e parë nuk arritëm t’i mbajmë dhe po ashtu e dini se procesi për të mbajtur zgjedhje tash në veri nuk është i qëndrueshëm. Mund të shtrohet pyetja, pse jemi në këtë gjendje? Kuptohet e dimë fare mirë agjendën e Serbisë edhe të Listës Serbe edhe i dimë kushtëzimet e tyre, por edhe presionet që i ushtrojnë mbi qytetarët e vendit në veri. Por, a e dimë ne si Kosovë dhe a e dinë qeveria jonë rrugën deri te suksesi? Me çfarë shoh unë dhe me analizën dhe informatat që kam, gjendja e sotme nuk na dërgon te suksesi. Procesi i tashëm i zgjedhjeve nuk na dërgon te suksesi”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka thënë se nuk është në interesin e vendit që zgjedhjet në veri të Kosovës të mbahen në stacione policore.

“Mosshqyrtimi i kësaj gjendjeje me kujdes, mostrajtimi i kësaj gjendje me seriozitet edhe me aleatët tanë, mund të thellojë pasojat për Kosovën në veri. Cilat do të ishin këto pasoja, në rast se Kosova qëndron në vendimin e vet për mbajtjen e zgjedhjeve, do të vjen dita e zgjedhjeve dhe qytetarët e veriut do të shkojnë të votojnë në stacione policore. Ju lutem, duhet t’i bëjmë analizë kësaj situate, a është në interesin tonë ta arrijmë tek kjo ditë. Çfarë do të fitojmë këtë ditë?. Më mirë me pranua një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër se sa një humbje të plot ditën e zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.

/TV Malisheva

Share.