Kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë.
Sipas tij, ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet.
“Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”.
“Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës”.
“Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan”.
“Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në krye temën e saj që është ‘marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë’, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”.
/TV Malisheva