Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot procesin gjyqësor ndaj tij në Tribunalin e Hagës, i cili kishte zgjatur me vite të tëra për të përfunduar në favor të tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Haradinaj ka thënë se ashtu siç ishte konfirmuar pastërtia e UÇK-së në rastin e tij, njëjtë do të ndodh edhe me të akuzuarit që sot mbahen në Hagë.
“Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit. Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Të dashur qytetarë,
Më 17 nëntor 2004 pata dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, për t’u paraqitur për intervistim para prokurorëve të Hagës në Prishtinë, si i dyshuar për krime lufte dhe thyerjen e ligjeve dhe rregullave të luftës.
Pas marrjes së aktakuzës së parë, filloi një proces i gjatë gjyqësor. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012, zgjati ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë u lirova si i pafajshëm, pas disa vjetësh jam rikthyer për herë të dytë në rigjykim.
I gjithë ky proces gjyqësor zgjati më shumë se 8 vjet, ku përfundimisht sot para 11 vjetësh, mora aktvendimin e pafajësisë i cili vulosi pafajësinë time dhe të bashkëluftëtarëve të mi, për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.
Në këtë proces për vendosjen e drejtësisë asnjëherë nuk mbeta i vetëm. Kisha afër familjen, bashkëluftëtarët, gjithë qytetarët e diasporën e në përgjithësi shqiptarët, por edhe institucionet tona, edhe pse në pjesën e parë nuk ishim shtet i pavarur.
Edhe atë kohë kishim ndjenjën që drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por megjithatë kur erdhi ishte lehtësim i madh, çlirim nga padrejtësitë që ndodhën gjatë procesit.
Po ashtu sot besoj që do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e bashkëluftëtarëve që janë duke u përballë me sfidën e radhës në Hagë. Ata shkuan si çlirimtarë atje, ashtu do të kthehen!
/TV Malisheva