Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar rreth bastisjes së EULEX tek shtëpia e Jakup Krasniqit në Prishtinë.
Haradinaj thotë se këto bastisje janë shqetësuese meqë nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike.
Madje ai ka theksuar se defilimet e tilla nga EULEX në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor.
“Zhvillimet e fundit me bastisjet nga policia e EULEX-it janë shqetësuese, pasi që nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike. Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje Haradinaj thotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe se beson në pafajësinë e Jakup Krasniqit.
“Operacionet e tilla, nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të kryhen nga Policia e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi”, ka përfunduar shkrimi i Haradinajt.
Ndërkohë që bastisja në shtëpinë e Krasniqit në Prishtinë që nisi në mëngjesin e së mërkurës është duke vijuar. po ashtu tek shtëpia e Krasniqit në fshatin Negrovc të Drenasit është duke qëndruar Policia e Kosovës.