Kandidati për kryeministër i koalicionit ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë, do të arrihet, kur Beogradi të kuptojë se nuk mund të fitojë asgjë nga Kosova.

Në një intervistë për REL, Haradinaj po ashtu flet edhe për arsyet se pse duhet të ketë edhe një mandat në krye të ekzekutivit.

“Taksa duhet të qëndrojë deri në njohje nga Serbia. Marrëdhëniet (ekzistuese) Kosovë- Serbi nuk munden të shkojnë, duke i ushqyer këto marrëdhënie. Këto marrëdhënie shkojnë duke i ndarë krejt elementet që krijojnë paqartësi”.

“Nëse Serbia e dinë qartë se nuk mund të marrë më asgjë nga Kosova, atëherë për Serbinë mbetet pyetja a të vendosë marrëdhënie fqinjësie të mira me Kosovën, pra të ketë edhe marrëdhënie ekonomike e të tregtisë, apo të vazhdojë me mënyrën si ka vazhduar deri tani. Mendoj se edhe Bashkimi Evropian, po edhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës duhet t’i tregojnë Serbisë se nuk ka mbetur më diçka për të marrë nga Kosova”.

“Por, edhe Serbia edhe Kosova marrin nga një marrëveshje e ndërsjellë, se kalojnë në një etapë të re të marrëdhënieve të ndërsjella dhe njëkohësisht përshpejtojnë procesin e tyre në integrim Serbia drejt BE-së, ndërsa Kosova drejt integrimeve euroatlantike sepse ne e synojmë NATO-n”.

Share.