Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi, të cilin e falënderoi për kontributin e dhënë gjatë misionit në fuqizimin e raporteve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Haradinaj e njoftoi ambasadorin Sardi për zhvillimet e përgjithshme në vend, duke theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e raporteve bilaterale, në fusha të interesit reciprok.

Duke vlerësuar rolin e Italisë në periudhat e shtet-ndërtimit, Haradinaj falënderoi ambasadorin Sardi për përkrahjen që Italia ka dhënë në të gjitha etapat në Kosovë, duke theksuar se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen në proceset jetike për vendin, liberalizimin e vizave, por edhe për anëtarësimin e vendit tonë në BE dhe NATO.

“Jemi mirënjohës për gjithë angazhimin tuaj dhe të Italisë në përkrahje të proceseve të rëndësishme politike për vendin tonë, duke synuar që ky bashkëpunim të avancojë edhe në fushën e zhvillimit ekonomik”, tha Haradinaj.

Ndërsa, ambasadori në largim Piero Cristoforo Sardi, falënderoi kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj për bashkëpunimin e deritanishëm.

Share.