Programerit Stefan Thomas i kanë mbetur vetëm edhe dy mundësi për ta provuar fjalëkalimin për të hyrë në llogarinë nga e cila mund t’i menaxhojë kriptovalutat me vlerë të 240 milionë dollarëve.
Thomasi është programer dhe jeton në San Francisko. Para një dekade, atij i ishin dhuruar 7.002 kriptovaluta bitcoin si shpërblim për përgatitjen e një videoje me të cilën jepeshin sqarime për atë se si funksionojnë kriptovalutat.
Në kohën kur i ishin dhënë këto valuta, secila kishte vlerën vetëm 2 deri në 6 dollarë. Ai i la këto valuta në “kuletën digjitale” dhe i harroi, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Tani, secili bitcoin vlen nga 34.000 dollarë, ndërsa vlera e kuletës së tij digjitale është 240 milionë dollarë. Megjithatë, Thomasi e ka harruar fjalëkalimin e llogarisë.
Ai deri tani e ka shtypur tetë herë nga një fjalëkalim të gabuar dhe nëse e bën këtë gjë edhe dy herë, llogaria do të enkriptohet dhe ai kurrë nuk do të mund të ketë më qasje në pasurinë e tij.
“Shtrihesha në shtrat dhe mendoja për këtë, pastaj shkoja te kompjuteri me strategji të re, por nuk funksiononte dhe unë dëshpërohesha përsëri”, tha ai për gazetën The New York Times.
Një ekspert i sigurisë në internet, i quajtur Alex Stamos, tha se ai mund t’ia zgjidhë problemin Thomasit brenda gjashtë muajve, nëse i ofrohet 10 për qind e shumës që ndodhet në llogari./TV Malisheva