Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje me raportimet e mediave se po tentohet të ndërhyhet në rastin e njohur si “Brezovica”. Haxhiu ka thënë se është e shqetësuar në lidhje me këto raportime pasi ky është një ndër rastet më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit në Kosovën e pavarur.

Në rastin e njohur “Brezovica” të Prokurorisë Themelore të Ferizajt janë vënë nën sekuestro 75 vila, pronarë të të cilave janë politikanë, biznesmenë si dhe gjykatës të të gjitha niveleve.

Së fundmi u raportua se ka pasur tendenca nga njerëz brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë për të ndërhyrë në këtë rast e cila i ka kaluar Gjykatës Themelore të Pejës.

Ministrja Haxhiu deklaroi se çdo dyshim i arsyeshëm për ndërhyrje në ëktë proces duhet të hetohet. Sipas saj, ushtrimi i ndikimi për të penguar proceset hetimore është një kancer në sistemin e drejtësisë të cilin duhet hequr.

“Pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë, çdo dyshim i arsyeshëm për ndërhyrje në procesin hetimor nga ana e personit zyrtar, duhet të hetohet jo vetëm si shkelje disiplinore, por edhe si vepër penale. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit për të penguar proceset hetimore, përbëjnë një kancer në sistemin tonë të drejtësisë, një kancer të cilit duhet të gjithë së bashku t’i japim fund dhe atë sa më shpejt”, shkroi Haxhiu.

Aksionet për rastin “Brezovica” kanë qenë të shtrira në disa ditë ku janë sekuestruar objektet e ndërtimit në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Hetimet e para vërtetuan se në këtë zonë janë të ndërtuara rreth 100 objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, këto vila janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale.

 

Share.