Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Ministerialin e organizuar në Shkup, krahas përfaqësueseve të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit, me ç ‘rast ka diskutuar në tre panele të rëndësishme.

Sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi; Lufta kundër korrupsionit; si dhe Aksioni i përbashkët kundër agresionit Rus në Ukrainë, ishin tri tema për të cilat ministrja Haxhiu ka diskutuar në këtë Ministerial.

Ministrja Haxhiu theksoi se me përkushtim Republika e Kosovës po përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke i kushtuar një kujdes të veçantë edhe Raportit për Vendin të Komisionit Evropian, si dhe ka diskutuar për rezultatet përmbajtjesore në sundimin e ligjit, luftën kundër-korrupsion, reformimin penal dhe civil si dhe rezultatet konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut mes tjerash.

Arritjet e Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, janë evidentuar edhe nga raporte dhe indekse kredibile ndërkombëtare. Ministrja Haxhiu ka përmendur rezultatet ku sipas “World Justice Project” Kosova renditet në top vendet me përparimin më të madh për vitin 2022, Raportin e BE-së për Vendin i vitit 2022, progresin e shënuar për 20 vende më lart sipas “Transparency International”, si dhe Raportin e “Freedom House” e cila renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në nivel botëror.

Sa i përket qëndrimit të Republikës së Kosovës, masave edhe veprimeve të ndërmarra ndaj agresionit Rus në Ukrainë, ministrja Haxhiu ka përmendur faktin se deri tani janë miratuar 11 paketat e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe që janë mbështetur sanksionet e ShBA-ve ndaj këtyre vendeve, në një nismë për të shprehur qartë qëndrimin tonë ndaj ndikimit të tyre në situatën aktuale.

Po ashtu, ministrja Haxhiu ka vlerësuar reagimet e akterëve të ndryshëm të cilët kanë dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, si dhe rezolutën e miratuar në Parlamenti i Evropës e cila dënon këtë akt.

Ministrja Haxhiu tha se një sulm i tillë, pa dyshim është sulm ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë, sulm ndaj paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt, ne tashmë kemi prezantuar fakte dhe dëshmi se janë të lidhura dhe mbështetura nga fqinji ynë verior, Serbia. Ministrja Haxhiu ftoi të gjitha vendet që të rreshtohen dhe të dënojnë sulmet e tilla terroriste dhe të kontribuojnë për drejtësinë dhe paqen.

Nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë juridik të shteteve tona në rajon, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin, është domosdoshmëri e secilit nga ne dhe se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, dhe çështjet tjera të interesit të përbashkët, tha ndër të tjera Ministrja e Drejtësisë.

/TV Malisheva

Share.