Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se rrëzimi i qeverisë Kurti dhe përmbysja e vullnetit të 6 tetorit tregon qartë se kryeministri Avdullh Hoti dhe koordinatori shtetëror për dialogun Skender Hyseni janë pjesë e projekteve të rrezikshme të presidentit Hashim Thaçi.
Ajo në një postim në Facebook ka akuzuar Qeverinë Hoti se kanë zbatuar kërkesat e Serbisë duke hequr reciprocitetin dhe duke hequr dorë nga anëtarësimet në organizmat ndërkombëtar.
“Këto janë premisat e një pazari të keq. Ndërkohë janë mbajtur disa seanca ku Hoti lëre që nuk ka as mbështetje as platformë e nuk ka krijuar as unitet, por nuk ka treguar as më të voglën fjalë se çfarë po bisedohet në këto negociata. Ai po thotë që platformë është kushtetuta ndërkohë ndër fjalët e para që ka thënë është se Asociacioni është obligim”, ka shkruar Haxhiu.
Për më tepër, Haxhiu thotë se marrëveshjet e dëmshme nuk mund të gjejnë zbatim në Republikën e Kosovës.
“Nuk mundet një qeveri ilegale, ilegjitime të sjellë marrëveshje e aq më pak persona që nuk kanë marrë as më të voglin besim qytetarë të përfaqësojnë Kosovën. Kjo gjë ka marrë fund. Ata mund të shëtitin gjithandej, por pazaret këtu nuk kanë vend.
Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa zgjedhje demokratike paraprakisht”, është shprehur Haxhiu./Tv Malisheva