Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se ndryshimi i masës së paraburgimit ende pa përfunduar ajo për ish-policin që dyshohej për terrorizëm, Dejan Pantiq, ishte e papranueshme dhe ka qenë inkurajim për strukturat kriminale serbe, të cilat dirigjohen nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ajo ka thënë se Qeveria nuk ka qenë në dijeni për ndryshimin e vendimit për Pantiqin.

Sipas saj, ndryshimi i masës së paraburgimit ishte inkurajim për kriminelet të cilët në pjesën veriore po rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Unë mendojë që mjafton fakti që veprime të prokurorisë dhe gjyqtarëve kanë qenë inkurajim për kriminelet , madje unë nuk njoh rast që një person ka qenë i dyshuar për vepra terroriste dhe shkon në arrest shtëpiak”, tha ajo në Tv Dukagjini.

Përndryshe, Pantiq u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Kurse, në fund të dhjetorit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se Dejan Pantiqit i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Prokuroria tha se ky ndryshim u bë për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Share.