Pesë ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë helmuar pasi kishin ngrënë syfyr në mensën e FSK në Gjilan. Mirëpo, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se të gjithë ushtarët janë shëndoshë e mirë.
“Me të marrë informacionin, SHP i FSK-së ka marrë masat e duhura sipas procedurave standarde operative dhe deri më tani kemi të konfirmuar se të gjithë pjesëtarët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, tani janë shëndosh e mirë dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim”, konfirmoi Ministria e Mbrojtjes.
Ministria konfirmoi se mostrat e ushqimit, që dyshohet se ka qenë mish i bardhë, janë dërguar për analiza të mëtutjeshme dhe janë në pritje të rezultateve.
“Përmes mekanizmave tanë zyrtar mjekësor si dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), janë marrë mostrat e ushqimit dhe jemi duke pritur rezultatet e analizave që do të mundësojnë identifikimin e shkaktarëve të mundshëm, që kanë rezultuar me çrregullimin shëndetësor të pjesëtarëve tanë”, vijoi Ministria e Mbrojtjes.
/TV Malisheva