Kandidati për kryetar të Komunës së Leposaviqit nga Lëvizja Vetëvendosje, Lulzim Hetemi, ka folur lidhur me kandidimin e tij dhe arsyen pse qytetarët duhet ta votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit që do të mbahen në veri. Me të në krye, ai tha se do të lindë dielli për të gjithë banorët e kësaj komune.
Në një intervistë, Hetemi ka përmendur problemet e shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët e Komunës së Leposaviqit, me theks fshatrat shqiptare Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, ndërsa potencoi nevojën e rindërtimit të shtëpive atje.
‘Ne ofrojmë rend dhe ligj, qeveria na ka përkrahur… Neve na duhet siguria, institucionet dhe komunën ta funksionalizojmë për qytetarët, pa marrë parasysh shqiptarë, serbë etj… Problemet janë të shumta… shtëpitë nuk janë rindërtuar atje, nuk janë meremetuar, njerëzit nuk kanë mundësi për të investuar… Janë edhe disa probleme tjera ku qeveria na ka premtuar se do të na ndihmojë dhe do të ecim përpara’, ka thënë Hetemi.
Ai ka deklaruar se gjendja e sigurisë në atë komunë, sidomos në tre fshatrat shqiptare, nuk ka qenë më e mirë asnjëherë dhe se incidente ndëretnike nuk ka pasur kurrë.
Hetemi tha se ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të dielën dhe se nuk beson se do të ketë incidente në veri ditët në vijim.
“Siguria nuk ka qenë më në nivel asnjëherë. Unë kam shkuar në Leposaviq, Leshak, janë disa incidente, por ato ndodhin çdo vend, janë disa incidente mes tyre… Incidente ndëretnike nuk ka pasur kurrë… Duke analizuar situatën muajt e fundit, nuk besoj se do të ketë incidente. ka me shku gjithcka në rregull… Ka (kushte për mbajtjen e zgjedhjeve), edhe MPB-ja na ka ofruar siguri dhe ma merr mendja se kjo do të funksionojë dhe do të ketë rregull deri sa të kalojnë zgjedhjet”, tha ai.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Leposaviqit apelon qyetetarët, shqiptarë dhe serbë, që më 23 prill të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Dilni votoni të dielën qytetarë shqiptarë të fshatrave Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë. Por, ftoj edhe qytetarët serbë të dalin në komunën e tyre, në të cilën do të lindë dielli pas sa viteve, në mënyrë që ta kemi një komunë demokratike, pa dhunë dhe incidente”, apeloi ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore do të mbahen këtë të diel. Në Komunë e Leposaviqit janë 13 mijë e 318 qytetarë me të drejtë vote.
/TV Malisheva