Me moton “Libri triumfon”, të martën është hapur panairi i librit në Prishtinë.

Në hapjen e këtij edicioni të panairit “Prishtina 2023”, krahas figurave politike vendore, i pranishëm ishte edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismajl Kadare, i cili u vlerësua si forcë gjigante e ngritjes së gjuhës e kulturës shqiptare, por edhe zë për liri.

Para të pranishmëve, shkrimtari shqiptar, Ismajl Kadare teksa shprehu gëzimin për praninë e tij në këtë panair, ai shpreson se letërsia shqiptare do të rikthehet më mirë e më fortë.

“Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur dhe kaq frymëzuese në ditën e libri për çdo popull kjo i bënë nder të madh ne shqiptarët…por pastaj jemi kujtuar dhe jemi rikthyer unë shpresoj se do të rikthehemi më mirë, më fort, më bukur në këtë aspekt”, u shpreh shkrimtari i madh shqiptar, Kadare.

Fjalë të mëdha të shkrimtarin Kadare, thuri edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti cili Kadarenë e quajti shkrimtari më i madh i gjallë në botë.

Derisa, shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për botën e librit, Kurti u shpreh se populli i Kosovës i ka borxh Ismajl Kadaresë sa nuk thuhet pasi që siç u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar vetëdija për trungun shqiptar është formuar nga botimet e Kadaresë.

“Panairi është si një festival i librit, lexuesi mund të vijë çdo ditë, madje mund të vijë jo vetëm si lexues, por edhe si shkrues dhe si bibliofil, sepse libri ka edhe bukurinë e vetë si punim artizanal. Panairin unë vetë e ndjej si një qytezë, por edhe si një shoqëri të hapur si një mendje të hapur. Dëshiroj thellësisht që panairi të ketë ndikim mendor e kulturor mbi të rinjtë, dëshiroj të shoh këtu sa më shumë të rinj…Qeveria jonë ka ristrukturuar tërësisht qasjes ndaj zhvillimit të librit, kemi gjashtë fishuar buxhetin për librin nga 160 mijë euro në 1 milionë euro dhe mbështetja vetëm për letërsi e veçmas shtëpi botuese sot mbështesim të gjitha gjinitë letrare dhe autorin e pavarur drejtpërdrejtë. Pra, mbështesim zhvillimin e audio librave, programeve për nxitjen e lexueshmërisë si dhe rezidencat letrare….Të gjithë ne jemi rritur me të që do të thotë se vetëdija jonë për veten si trung shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismajl Kadere, ne atij i jemi borxh sa s’thuhet”, theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa ka falënderuar Ismajl Kadarenë që letërsinë shqipe e bëri të përbotshme, tha se shkrimtari Kadare është ngritur në simbolin më të lartë e kuptim-plotë për popullin tonë.

Konjufca u shpreh se Ismajl Kadare letërsisë shqipe ia siguroj një vend të pavdekshëm me atë që ai vetë i quan letërsia universale e botës.

Në ceremoninë hapëse të Panarit të Librit “Prishtina 2023”, kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se libri është një institucion i cili nuk mund të mos ekzistojë.

“Libri iu ka mbijetuar edhe të gjitha katastrofave të natyrës edhe të historisë, është nga ato institucionet i cili thjesht nuk mund të mos ekzistoj. Qenia e tij lidhet me një nevojë shumë të thellë të shpirtit njerëzor pa të cilin nuk ia dalim dot….Libra është hapësira e pafund e shkëmbimit, është shtëpia e përbashkët e shkrimtarit dhe lexuesit. Libri është i pashkatërrueshëm meqë në njëfarë mënyre mendoj që është platonik është mëshirim i idesë…Ne i kemi shkrimtarët që arritën t’i flasin kombit tonë, por e kemi edhe Ismajl Kadaren i cili arriti t’i fliste botës duke mbetur tipik shqiptar. Letërsisë shqipe Ismajl Kadare ia sigurojë një vend të pavdekshëm me atë që ai vetë i quan letërsia universale e botës. Por, ai nuk ishte thjesht vetëm shkrimtari që vetë mjaftohet me kënaqësinë e të shkruarit. Ismajl Kadare gjithnjë ka qenë dhe është forcë gjigante e ngritjes së vetëdijes botërore për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Ai për Kosovën bëri gjithçka që mund ta bënte një intelektual i përmasave planetare, Kosovës i kushtoi edhe vepra e kërkoi me ngulm lirinë tonë dhe ishte zëri ynë kolektiv kudo që shkoi”, tha ai.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh me këtë rast se kryeqyteti është shndërruar në vatër që shpalos magjinë e fjalës në letër.

Rama tha se është e qartë se inkurajimi i të rinjve për të lexuar libra duhet të përshtatet me epokën digjitale, por gjithmonë duke e ruajtur thelbin e të shkruarit.

“Të cilin e kanë shndërruar panairin në një traditë që e presim në çdo fillim verë. Përkushtimi dhe angazhimi juaj për të promovuar librin dhe nxitur leximin e kanë kthyer Prishtinën në vatër të mrekullueshme letrare që shpalos magjinë e fjalës në letër dhe rrëmben zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre që përfaqësojnë dhe përqafojnë faqet e shkruara. Uroj që ky panair i librit të kthehet në festë të fjalës së shkruar që rrezaton lartë përtej kësaj hapësire e këtyre mureve dhe kryeqytetit”, u shpreh Rama.

Ndërsa, shkrimtarja, Drita Ruhani shpreson se pananiri i librit të jetë motivues për rritjen e lexuesve.

“Kemi shumë shkrimtarë që meritojmë t’i vendosim në plan të parë dhe të cilët do t’i gjeni sot në panair. Uroj që kjo festë e librit të jetë motivuese për rritjen e lexuesve për autorët tanë“, deklaroi autorja, Ruhani.

Në edicionin e 23-të të panairit, është paralajmëruar të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se janë rreth 2 mijë tituj të rinj në panairin “Prishtina 2023”.

Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Panairi i librit “Prishtina 2023”do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00 deri 20:00, ndërkaq do të mbyllet më 11 qershor, në orën 18:00.

/TV Malisheva

Share.