Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qytetin e Malishevës. Rreth 100 persona janë helmuar nga konsumimi i ushqimit në një lokal të ushqimit të shpejt, i cili gjendet në rrugën Avdyl Mazreku.
Shumica prej tyre janë trajtuar në QKMF e Malishevës, por 11 prej pacientëve me simptoma më të rënda janë transferuar në QKUK në Prishtinë dhe 9 në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku edhe po trajtohen ende.
Drejtori i Klinikes Infektive n QKUK, Arben Vishaj “ka pohuar se gjendja e përgjithshme e personave që po dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një lokal në Malishevë është stabile”.
Me t’u informuar Policia e Kosovës ka dalur në vendin e ngjarjes ku “është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull nga Kosova dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – njoftohet në raportin e Policisë.
Ndërkohë, kjo ngjarje ka ngritur alarmin sesa janë të sigurte qytetarët e Kosovës nga raste të tilla? Mediumi Arbëria TV i ka parashtruar pyetje Hafir Rraxhës drejtor i inspektoratit në Komunën e Malishevës për të mësuar më shumë mbi shkaqet e kësaj ngjarje të tmerrshme.
I njëjti i ka thënë mediumit “se me të dëgjuar për rastin kemi dalur në vendin e ngjarjes, kemi vendosur shiritat për ta izoluar lokalin. Kurse kontrolle të tjera duhen të bëhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Vetërinës (AUV) sepse kjo është kompetencë e tyre. Për më tepër Malisheva as nuk ka inspektor sanitar”.
Kurse zëdhënësi i këtij institucioni Lamir Thaçi, ka pohuar se nga inspektimet që janë bërë në atë lokal është vërejtur që gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenike ka qenë në nivelin jo të mirë si dhe janë gjetur produkte pa origjinë.
Fatkeqësisht, ky është rasti i dytë që po ndodh brenda një jave në Kosovë, çfarë dëshmon për pasigurinë që dominon në këtë sferë.
/TV Malisheva