Kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohet nga të gjithë, pa asnjë kundërshtim.

“Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohet nga të gjithë, pa asnjë kundërshtim, me urtësinë dhe detyrimin që kemi ndaj vendimeve të këtij institucioni gardian të Kushtetutës. Vetëm kështu e avancojmë demokracinë tonë. Nuk ka rrugë të dytë”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka shtuar se kjo kohë s’duhet shfrytëzuar nga askush për të shkelur liritë tona themelore.

“Në anën tjetër, kushdo që e shfrytëzon këtë kohë të masës përkohshme për të degraduar institucionet ekzekutive të vendit, rrënimin e ekonomisë dhe përdorimin e pandemisë për të shkelur liritë tona themelore, do të zhgënjehet keq, siç po zhgënjehen çdo ditë përmes shpalljes së vendimeve të tyre kundër kushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Hoti.

Hoti gjithashtu ka thënë se shumica parlamentare në Kuvendin e Republikës, duke e zgjedhur një Qeveri të re në përputhje me Kushtetutën, nuk do të lejojë që qytetarët dhe institucionet të merren nëpër këmbë nga struktura politike pa legjitimitet./ Tv Malisheva

Share.