Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka deklaruar se dyshohet për një varrezë masive në Shtaval të Serbisë, e cila sipas tij, mund të jetë e luftës së fundit në Kosovë.
Sipas Hotit, ka dëshmitarë të shumtë duke përfshirë edhe serb të asaj zone të cilët kanë deklaruar se në atë pjesë janë dërguar njerëz me autobus të cilët janë vrarë dhe pastaj janë varrosur.
Por që sipas Hotit, përqindja për rezultate në atë pjesë është e vogël për shkak se është lokacion minierë.
“Lokacioni Shtaval ka pasë dëshmitarë të ndryshëm duke përfshi edhe dëshmitarë serb të asaj ane që kanë parë autobus me njerëz që i kanë dërgu atje, i kanë vra dhe pastaj i kanë varros. Mirëpo ai lokacion është një lokacion minierë që me tonelata pastaj është hudhë mbi dhe ne duhet të vazhdojmë të gërmojmë. Por përqindja që ne mund të kemi rezultat në atë lokacion është e vogël nëse, ne nuk e kemi kordinatën e sakt dhe përpos kordinatës së sakt është Serbia e vetmja që e ka dhe është Serbia që mund të na jep”, tha Hoti në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Më tej Hoti shtoi se sipas këtyre informative të dëshmitarëve dhe sipas vet ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq, në atë lokacion dyshohet për një varrezë masive.
“Gjithmonë po flas në bazë të informatave që i kemi, sepse nuk është që e kemi të saktë. Në bazë të dëshmitarëve serb dhe në bazë të deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme, Daçiq aty dyshohet se kanë shku autobus me njerëz, që janë vra dhe që janë varros pikërisht në atë lokacion. Që i bjen që do të duhej të ishte një varrezë kogja e madhe masive nëse mund ta gjejmë”, shtoi Hoti.
Ndryshe, të mërkurën kanë rifilluar gërmimet në disa lokacione të Serbisë, të dyshuara për varreza të mundshme masive.
/TV Malisheva