Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti II ka humbur sovraniteti në veri të Kosovës. Ai ka paralajmëruar se me këtë sjellje të kryeministrit, vendi mund të vijë në një situatë kur në veri, rendi dhe ligji të vendoset nga KFOR-i dhe EULEX-i, e jo nga Policia e Kosovës.

Ai thotë se në 30 vite të përpjekjeve të shqiptareve për shtet të pavarur dhe 15 vite pas pavarësisë, kurrë nuk ka pas një komunikim të tillë mes Qeverisë Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-së, me ç’rast thekson se gjendja është kritike.

Hoti u shpreh se veprimet sado të drejta të jenë duhet të bëhen në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

“Vijnë emisarët amerikanë në Kosovë dhe thonë qartë që ata janë mbrojtës të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, dhe kërkesat që kanë karshi Kosovës për themelim të Asociacionit, e thonë qartë se nuk është kërkesë e tyre që duhet të bihet ndesh me kushtetutën e Kosovës. Janë edhe marrëveshjet paraprake, e vitit 2015 në veçanti, që krijon siguri Qeverisë së Kosovës për të lëvizur përpara në përputhje më këshillat e partnerëve, por kam përshtypjen se situata ka shkuar shumë larg. Veprimet e njëanshme, pavarësisht se janë të drejta, sepse ne kemi të drejtë legjitime si shtet sovran të vendosim ligjin dhe rendin në çdo pjesë të Kosovës, por këtë ne mund ta bëjmë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, të shohim çfarë humbim dhe çfarë fitojmë nga veprimet e njëanshme. E vërteta është që asnjëherë nuk ka pasur më pak sovranitet të shtrirë në veri të Kosovës sesa në këtë qeveri”, deklaroi Hoti.

Hoti thotë i druhet edhe një situate tjetër kur KFOR-i dhe EULEX-i të kujdesen për rendin dhe ligjin në veri të vendit. Sipas tij, kjo do të ishte e rëndë.

Ai kërkon që të gjitha komunitetet të përfshihen brenda strukturave të Republikës së Kosovës përmes politikave të mençura dhe jo duke përdorur dhunë.

“Unë i druhem edhe një situate tjetër, me këto veprime të pamatura të Qeverisë së Kosovës, kam frikë që mund të vijmë në situatën kur në atë pjesë të vendit rendi dhe ligji të vendoset nga KFOR-i dhe EULEX-i, ne nuk e duam atë. Kemi punuar shumë në pavarësinë e mbikëqyrur, në partneritet të ngushtë me miq tanë ndërkombëtarë duke shtrirë hap pas hapi sovranitetin tonë në atë pjesë të vendit. Të jetë NATO në Kosovë përmes KFOR-it, si mbrojtës i rendit, i sigurisë kombëtare, për gjitha çështjet t’i marrim përsipër, ta forcojmë policinë tonë, FSK-në dhe gradualisht t’i integrojmë të gjitha komunitetet brenda strukturave të rendit, të sigurisë, të ushtrisë së Kosovës, sepse ne jemi shumicë në këtë vend, shqiptarët janë shumicë, ne kemi përgjegjësi t’i integrojmë të gjitha komunitetet, jo me dhunë. Ne duhet të bëjmë politikë shumë më të mençur, të koordinohemi me partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që ta amortizojmë këtë ndikim, dhe gradualisht t’i përfshijmë komunitetin serb brenda institucioneve”, shton Hoti.

Hoti u shpreh për KosovaPress se Kurti në dy vitet e fundit ka sjellë një komunikim të vështirë me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe gjendja është kritike.

“Në dy vitet e qeverisjes ka pas momente të vështira të komunikimit të tyre me aleatin kryesor, me SHBA-të. Kemi pas rastin kur janë anuluar vizitat e ministrave, kemi pas situata kur kryeministri ka qëndruar tre javë atje dhe nuk e ka takuar askush, dhe situata të ndryshme të problemeve në bashkëpunim, për shkak të sjelljeve të Qeverisë së Kosovës, por që vjen deri në këtë pikë nuk e kam imagjinuar. Të vijnë deri në pikën që zyrtarë shumë të lartë amerikanë, nga Sekretari i shtetit (Blinken) e poshtë, hierarkia e Departamentit të Shtetit, ta thonë qartë se Kosova nuk po i ndjek këshillat e partnerit kryesor, është duke i cenuar marrëdhëniet mes dy vendeve, kjo situatë është e paimagjinueshme. Në 30 vite të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe 15 vite pas pavarësisë, kurrë nuk ka pas një komunikim të tillë mes Qeverisë Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve. Gjendja është kritike”, vijon Hoti.

Pezullimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” për Hotin është një mesazh ogurzi për Republikën.

“Më vjen keq që gjithë ata ushtarë të FSK-së e kanë pas ëndërr me qenë pjesë e ushtrimit ‘Defender 2023’, të përjashtohen nga ky ushtrim. Ka qenë ndër momentet më të mira të qeverisjes time, sa kam qenë kryeministër kur patëm marrë ftesën që shumë pak ushtarë të FSK-së t’i bashkohen ushtrisë amerikane në misionin paqeruajtëse dhe gjithë Kosova e ka festuar si një arritje të madhe. Ndërkaq, sot pas dy viteve të merret vendimi që Kosova të përjashtohet nga ushtrimi i NATO-s, ku Amerika është kryesore, është shenjë dhe mesazh ogurzi për shtetin e Kosovës”, përfundon Hoti.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës. Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar 6 policë dhe 30 pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

/TV Malisheva

Share.