Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka parë sot nga afër kapacitetet e spitalit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë. Gjatë vizitës, ai tha se është informuar se gjendja është duke u përkeqësuar, sa i përket pandemisë Covid-19, dhe se sipas tij në rast se do të ketë nevojë do të shfrytëzojnë të gjitha variantet.
Kryeministri Avdullah Hoti tha se është informuar në detaje për përgatitjet për ngritjen e kapaciteteve të Forcës, derisa premtoi mbështetje për të ngritur më tutje kapacitetet.
Hoti: Do t’i qëndrojmë afër ministrisë dhe FSK-së
“Bashkë me ministrin e Shëndetësisë, nëse mund ta quaj, inspektuam Spitalin Ushtarak, për të parë kapacitetet që FSK do t’i vë në dispozicion të qendrës spitalore, në rast se do të kemi nevojë t’i përdorim edhe këto kapacitete. Unë nuk jam shumë njeri ushtarak por vërtetë jam i impresionuar kur hymë brenda, edhe i emocionuar me disiplinën ushtarake dhe me përgatitjet e Ministrisë së Mbrojtjes tonë dhe FSK-së me disiplinë vërtetë të pashoqe që na bën krenarë. Do t’i qëndrojmë afër ministrisë dhe FSK-së për të ngritur më tutje kapacitetet. Do të punojmë bashkë me stafin shëndetësor të FSK-së që të integrohen me Ministrinë e Shëndetësisë edhe me Shërbimin Spitalor për të përballuar situatën në të cilën po kalojmë”, ka thënë Hoti.