Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për emërimin e pozitave të larta drejtuese.
Ambasadori Nicholas Abbott tha se përvojat e kaluar tregojnë se rekrutimet vazhdojnë të mbesin sfidë e madhe për Kosovën dhe institucionet.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në nivelin e lartë drejtues.
Raporte të auditorit kombëtar dhe gjetjet janë shenjë se institucionet kanë nevojë për njerëz profesionistë dhe me integritet. Suksesi i projektit do të jetë sukses i Kosovës dhe dështimi i projektit do të jetë dështim i Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Avdullah Hoti tha se përmes kësaj marrëveshje synojnë të arrijnë transparencë dhe konkurrencë meritore për pozita të larta.
I pyetur për përbërjen e këshillit e ekspertëve për dialogun me Serbinë, Hoti nuk ka treguar emrat duke thënë se do të ketë edhe një koordinator shtetëror që do emërohet së shpejti.
Qeveria e Kosovës, dje ka marrë vendim për të themeluar Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë, i cili do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit.
Detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut.
Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifës që kishte vendosur Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.
Barrierat tregtare janë hequr dhe Bashkimi Evropian është shprehur se planifikon rifillimin e dialogut./Tv Malisheva