Ish-kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se Kosova gjendet në pozitë të pafavorshme në dialog me Serbinë për shkak të veprimeve të pamatura të Kurtit. Sipas tij, vendi tani është në qorrsokak dhe kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë është që të themelohet menjëherë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Hoti, tha se qeveria e tij pati lënë një kornizë të dialogut që në qëllim ka pasur njohjen reciproke, por veprimet e Kurtit e kthyen pas këtë proces.

Hoti: Tash kërkohet themelimi i menjëhershëm i Asociacionit

“Besoj se qasja e gabuar e kësaj qeverie, qysh në fillim e ka sjellë këtë situatë, ku tash kërkesa e partnerëve tanë ndërkombëtarë është për të themeluar menjëherë Asociacionin. Në qeverinë paraprake, ne e patëm dakordu një kornizë të dialogut me partnerë tanë ndërkombëtarë që nuk i prekin këto temat dhe nuk hynë edhe temat e integritetit territorial, të sovranitetit që marrëveshja përfundimtare duhet të jetë për normalizim dhe njohje reciproke, që duhet të jetë marrëveshje brenda kushtetutës së Kosovës dhe që nuk dakordohemi për asgjë, derisa nuk dakordohemi për të gjitha. Çfarë bëri kjo qeveri kur e mori pushtetin? Hoqi dorë nga ajo kornizë e dialogut dhe dolën me disa pika që u kthyen para një shekulli e gjysmë, dhe e futën vendin dhe veten në qorrsokak, i kanë bërë një dëm të madh vendit”, deklaroi Hoti.

Hoti u shpreh se Kosova është në pozitën më të pafavorshme për të dialoguar për shkak të vendimeve që çuan në tensionimin e situatës në veri dhe tërheqjen e serbëve nga institucionet e Republikës.

Hoti: Te këtë koordinim me partnerët ndërkombëtarë

“Rruga më e mirë është krijimi i konsensusit politik brenda vendit dhe koordinimi i ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me ShBA-të, të mos krijohen probleme të panevojshme në terren. Ka qenë kërkesë e vazhdueshme e partnereve tanë që të mos krijojmë probleme të tilla, pavarësisht se kemi të drejtë, ato veprimet që u morën në veri të vendit në muajt e kaluar. Çdo kush na jepte të drejtë, por na kërkonin që të spostohen këto vendime për një moment që është më i favorshëm për Kosovën. Sot jemi në situatën më të pafavorshme për të dialoguar, sepse është situata kur jo të gjitha institucionet e rendit dhe të ligjit dhe të shtetit të Kosovës, janë të shtrira në veri”, deklaroi Hoti.

Ish-kryeministri deklaroi se pret nga qeveritarët që të jenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre, pasi i gjithë presioni është kthyer nga Kosova, në vend se të jetë nga Serbia.

 

Hoti: Presioni është kthyer nga Kosova

“Pres që të rritet transparenca shumë më tepër në dialog, pres që të bëhen të kujdesshëm qeveritarët në veprimet që ndërmarrin, të punojnë në kohezionin politik që duhet për proces të dialogut. Dëme i madh që nuk po koordinohemi me kohë me partnerët tanë dhe pastaj po vjen situata kur po kthehet presioni nga ne, si palë e dëmtuar gjatë luftës, tash o kthehet presioni nga ne, në vend që të kthehet nga Serbia”, thotë Hoti.

Hoti nuk pranon të jap shumë komente rreth planit të Bashkimit Evropian për dialogun, i ashtuquajtur si plani franko-gjerman, pasi tha se edhe në këtë pikë ka munguar transparencë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Hoti: Do të kërkoj dhe pres që të kemi raportim në Kuvend për planin franko gjerman

“Unë do të kërkoj dhe pres që të kemi raportim në Kuvend. Besoj se është e papranueshme për opozitën edhe qytetarët që të pranohet një draft i planit franko-gjerman. Të dërgohen komente nga qeveria në shtator, të kthehet prapë drafti i ri në dhjetor dhe të mos jetë i informuar as publiku e qytetarët dhe as Kuvendi si institucion kushtetues, mbikëqyrës në procesin e dialogut, është e papranueshme. Flitet për planin franko-gjerman, por nuk ka informatë zyrtare nga qeveria për opinionin publik dhe për Kuvendin, kështu që duhet të rezervohem për përmbajtjen e këtij plani, derisa nuk është informuar zyrtarisht Kuvendi”, thotë mes tjerash Hoti.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) akuzon qeverinë edhe për mungesë të veprimeve në kohë krizash, sidomos me politikat fiskale në mënyrë që të bëjë më lehtë përballimin e krizës për qytetarët./TV Malisheva

Share.