Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës sot është marrë vendim për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj Sars CoV2 – COVID-19.

Kryeministri Avdullah Hoti theksoi se ky komision është themeluar me qëllim që të informojë kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë për aktivitetet e luftimit të pandemisë.

Hoti ka paraqitur edhe përbërjen e këtij Komisioni, me profesionistë shëndetësorë.

Në këtë mbledhje është bërë edhe themelimi i Komiteti për Partneritet Publiko-Privat.

Po ashtu në mbledhjen e qeverisë është marrë vendim për ricaktimin Burim Rrecit si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Vendim është marrë edhe për Izedin Bytyqi për ricaktim si Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.

Pas propozimit të ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi, Qeveria mori vendim për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Bujar Ejupi.

Me propozim të ministrit të MPB-së Agim Veliu, qeveria në mbledhjen e saj mori vendim që Lulëzim Ejupi të ricaktohet sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndërsa, me propozim të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, qeveria mori vendim që Ekrem Kastrati të emërohet Kryeinspektor i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale./Tv Malisheva

Share.