Pas Krushës së Madhe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me përfaqësues nga institucione të ndryshme sot ka bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël.
Osmani ka theksuar se nuk do të ndalen asnjëherë duke kërkuar drejtësi për gjithë të vrarët e të zhdukurit nga kriminelët serb.
“Kurrë nuk do të harrojmë dhe kurrë nuk do të falim për krimet që janë kryer kundër popullit të pafajshëm të Kosovës. Edhe sot 60 nga më të dashurit tuaj janë në mesin e të zhdukurëve më dhunë njësoj sikur edhe mbi 1 mijë në gjithë Kosovën. Me ngulm e vendosmëri do të bëjmë çmos e nuk do të ndalemi asnjëherë duke kërkuar që ta zbardhim fatin e tyre. Lufta për lirinë e Kosovës ka qenë e drejtë, luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë, prandaj kjo është e verteta e vendit, e vertetë e një populli që ka sakrifikuar cdo gjë për lirinë e vendit”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti në një fjalë rasti ka lexuar një mesazh nga një vajzë që ka humbur më të dashurit e saj, përmes të cilës kërkon drejtësi për familjarët e saj.
Hoti, para të pranishmëve ka thënë se do të luftojnë për zbardhur fatin e të gjithë të pagjeturve.
“Ne ende jemi në luftë me kriminelet serb, që nuk mund të falim e as të harrojmë dhe për këtë do të luftojmë o në Bruksel ose në Botë. Falë gjakut të gjithë atyre që kanë rënë, që i dolën zot vendit dhe i thanë stop kriminelit serb. Ne do të kërkojmë drejtësinë dhe nuk do të ndalemi derisa të gjejmë atë. Krusha kërkon vetëm drejtësinë, ndëshkimin e kriminelit serb që vranë të reja e të rinj, burra, gra e pleq. Të rënët e Krushës janë themeli i shtetit tonë për liri”, është shprehur Hoti.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka thënë se dëshmia më e mirë e lirisë është gjaku i të rënëve për liri.
“Të përkujtojmë barbarizimin e një regjimi, i cili i takon të kaluarës, të përkujtojmë gjithë atë terror që disa prej ne kemi përjetuar, kemi humb fëmijë, nxënës dhe kemi akoma të pagjetur, andaj gjithë kjo e vështirëson një lëvizje përpara pa u zbardhur fati. Liria jonë nuk ka pikë nga qielli, janë rezulat i një sakrifice, luftë, e betejë luftarake”, ka thënë Totaj.
Kryetarja e fshatit në Krushë të Vogël, Shpresa Shehu ka kujtuar të gjithë dëshmorët e rënë për liri, në mesin e tyre edhe të zhdukurit që ende nuk dihet për fatin e tyre.
“Edhe ky përvjetor na gjenë në ankthin e pritjes. Edhe sot sikur 24 vite me parë jemi mbledhur për të kujtuar 113 familjarë të moshave të ndryshme që u vranë e u zhdukën pa asnjë gjurmë. Sot, në përvjetorin e 24-të kujtojmë 113 vjetorin e gjithë të vrarëve në mënyrë mizore. Krusha ende jeton me dhimbjen se a do të gjenden edhe 60 të tjerë. Fatkeqësisht edhe pas 24 viteve, Kosova po vazhdon të paguajë cmimin e lirë, me të vetmin qëllim që vlera e UÇK-së të mbetet e pastër dhe e paprekshëm”, ka thënë Shehu.
/TV Malisheva