Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka mashtruar qytetarët për 15 vite, duke numëruar të gjitha kundërshtimet që ka bërë, derisa tash pranon t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake dhe thirret në elemente specifike të atyre marrëveshje që sigurojnë kushtetutshmërinë në zbatim.

Hoti ka shkruar në Facebook se LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës.

“Forca politike që udhëheq me vendin i ka mashtruar qytetarët për 15 vite, sepse e ka kundërshtuar Planin e Ahtisarit që ka sjellë pavarësinë; e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që ka trasuar rrugën e integrimit evropian të Kosovës; e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e cila e ka sjellë njohjen nga Izraeli dhe përfitime të tjera; e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht thirrjes nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së për të mbështetur atë, e sot e konsideron demarkacionin si çështje të kryer; i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet e dialogut në 10 vitet e fundit, disa prej të cilave kanë mundësuar shtrirje të sovranitetit në të gjithë territorin e vendit dhe i kanë siguruar Kosovës prezencë në forume ndërkombëtare; e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e parimeve të vitit 2015, e cila siguron zbatim të Kushtetutës së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013. Ndërkaq, tani e njëjta forcë politike pranon të zbatoj të gjitha marrëveshjet paraprake dhe thirret në elemente specifike të atyre marrëveshje që sigurojnë kushtetutshmërinë në zbatim”, ka shkruar ai.

Share.