Ministrja në detyrë e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që para votimit për shpërndarjen e legjislaturës aktuale, të votojnë me shumicë votash marrëveshjen ndërkombëtare të IPA-së që i sjell shtetit rreth 90 milionë euro nga BE-ja.

Në rastin e kundërt, e para e integrimeve thotë në një intervistë për KosovaPress se kjo do t’i sjellë humbje të mëdha Kosovës, jo vetëm në këto projekte të IPA-së. Pikërisht për këtë, ajo ka kërkuar deputetëve të tregohen të kujdesshëm, pasi e gjithë barra është mbi supet e tyre.

“Është më se e rëndësishme që IPA 2018 të ratifikohet më 22 gusht. Ndoshta të jemi pak duke e ditur edhe traditën e kaluar kur të gjitha grupet parlamentare janë bërë bashkë dhe kanë votuar. Ndoshta të bëj thirrje që të njëjtën praktikë ta aplikojnë edhe më 22 gusht që të ratifikohet kjo marrëveshje”, thotë ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha i renditi të gjitha projektet që do të mbulohen me këto fonde, ku njëri ndër to dhe më i rëndësishmi, sipas saj, është ndërrimi i filtrave në termocentralin në KEK.

Hoxha shprehet optimiste se marrëveshja ndërkombëtare IPA do të votohet në Kuvend, por pavarësisht kësaj, ajo thotë se periudha kohore deri kur ka mundësi për ratifikim është dita e fundit e vitit 2019.

Share.