Po vazhdon sesioni i dytë i konferencës “Leap in Prishtina”, ky është edicioni i katërt i kësaj konference që ka për qëllim ngritjen e potencialit të të rinjve dhe fuqizimin e tyre.

Para këtyre të fundit, drejtori i ASK-së, Ardian Hoxha ka rrëfyer rrugën deri tek suksesi, duke motivuar ata që të mos dorëzohen para pengesave që mund të hasin.

Hoxha: Mos u fokusoni te problemi por cilat janë zgjidhjet

“Po e di problemin, po e di çfarë ka ndodhur dhe merre leje anash, dhe mos u fokusoni te problemi por cilat janë zgjidhjet. Sa më shumë mendojmë për zgjidhjet, aq më shumë zgjidhje na dalin. Kjo është një teknikë për çfarëdo krizë që na shkaktohet. Aq më shumë duam suksese, aq më shumë sfida e kriza do të kemi”, ka thënë Hoxha.

Vetë pronari i ASK-së thotë se vet është përballur me më shumë se 50 kriza në jetë, për çka sugjeroi të rinjtë që të dinë të menaxhojnë ato për t’u bërë i suksesshëm.

Pjesë shumë e rëndësishme sipas tij është cilat mekanizma ndiqen për të arritur deri te ajo që ata synojnë.

Hoxha: Gjithçka fillon me ëndërr

“Thuhet që gjithçka fillon me ëndërr. Në kulturën tonë ka qenë negative për të parë ëndërr. Ne mund të arrijmë vetëm atë që mundemi me të shohim në ëndërr. Por nëse arrijmë diçka të fantazojmë ëndrra, atë do e arrijmë. Prej ëndërrimit fillojmë ta shndërrojmë në një realitet. Fillon ta pikturosh, ajo është vizion, shikim, pamje. E sheh vetën në një të ardhme të caktuar, prej ëndrrës në vizion. Qëllimi dhe dëshira janë të njëjta, dëshira nëse shkruhet është e caktuar në qëllim… shumë pak dinë të zbërthejnë fjalën motivim, motivimi më i mirë vjen prej qëllimeve. Vetëm kur kemi qëllime ne jemi të motivuar”, ka shtuar Hoxha.

Kjo konferencë ka në fokus inovacionin, IT dhe teknologjitë moderne, sipërmarrjen, zhvillimin e karrierës dhe tregimet motivuese që stimulojnë lidershipin dhe suksesin.

LEAPin Prishtina sjell energjinë dhe vizionin e Samitit LEAP, me origjinë nga qyteti i Zagrebit të Kroacisë, për komunitetet lokale në të gjithë bota.

Samiti LEAP është konferencë dyditore, e cila mbledh më shumë se 4.000 të rinj nga më shumë se 30 vende të botës, që janë udhëheqës në komunitetet e tyre përkatëse./Tv Malisheva

Share.