Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka qëndruar dje në vizitë në Mitrovicë, për t’u takuar me strukturat lokale të partisë, ku ka shfrytëzuar rastin të thurë kritika për kryetarin e kësaj komune, Agim Bahtirin.

Hoxhaj në statusin e tij në Facebook, ka goditur me kritika kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, lidhur me qeverisjen e tij.

Sipas Hoxhajt, asgjë përveç mashtrimeve dhe diferencimeve në baza partiake e familjare nuk ka ndodhur në Mitrovicë në tetë vitet e fundit, sa ka udhëhequr Bahtiri.

Ai ka shtuar se Bahtiri e ka varfëruar Mitrovicën, kurse vetë është më i pasuri.

Postimi i plotë:

Të lodhur nga keqqeverisja dhe me vullnet të madh për ndryshim, Mitrovica është më e mobilizuar se kurrë ta përqafojë të ardhmen. Energjia të cilën e pamë edhe mbrëmë, ku së bashku me Bedri Hamzën takuam Degën dhe strukturat tona në këtë qytet, janë sinjali i parë që PDK po rikthehet fuqishëm në Mitrovicë. Një qytet që dikur ishte krenaria e Kosovës, është shndërruar në qytetin më të varfër në vend nga kryetari më i pasur.

Asgjë përveç mashtrimeve dhe diferencimeve në baza partiake e familjare nuk ka ndodhur në Mitrovicë në tetë vitet e fundit. Ky model qeverisës në dëm të qytetarëve do të marrë fund shpejtë. Zgjedhjet nacionale që do t’i kemi tani, do të tregojnë rritjen më të madhe të PDK-së në këtë komunë, deri në tetor kur do ta kemi edhe kryetarin e partisë tonë në këtë qytet. Faleminderit Mitrovicë.

Share.