Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi dje mbi rregullat e reja që do të zbatohen nga data 1 shtator, për të hyrë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas një njoftimi për shtyp, çdo udhëtar duhet të paraqesë certifikatë ose vërtetim për imunizimin e kryer nga virusi SARS-CoV-2, marrjen e të paktën dy dozave të vaksinës kundër sëmundjes infektive COVID-19.
Në mungesë të vërtetimit të vaksinimit, qytetarët mund të paraqesin vërtetim për kalimin e COVID-19 në 45 ditët e fundit, duke llogaritur nga dita e rimëkëmbjes, ose vërtetim mjekësor me rezultat negativ nga testi RT PCR SARS-CoV-2, i bërë 72 orë para hyrjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që do të kthehen në vend pas 1 shtatorit dhe nuk kanë test PCR, ose certifikata për vaksinim ose që e kanë kaluar COVID-19, do të caktohet masë karantine prej 7 ditësh izolim në shtëpi me vendim të Inspektoratit Shëndetësor.
Shtetasit e huaj që kalojnë tranzit nëpër Republikën e Maqedonisë së Veriut do të mund ta bëjnë këtë në afat prej 5 orëve, me deklaratë të nënshkruar paraprakisht në hyrje të vendit, të cilën duhet ta dorëzojnë para kontrollit kufitar në dalje nga vendi./TV Malisheva