Kombëtarja e Shqipërisë është duke u përgatitur për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, ku më 6 qershor zhvillon ndeshje si mysafire kundër Islandës, kurse më 10 qershor është vendase kundër Izraelit.
Ndërkaq, ditën e sotme Kombëtarja shqiptare doli në konferencë për media, ku të pranishëm ishin Elseid Hysaj dhe Klaus Gjasula, përcjell TV Malisheva.
Hysaj u shpreh se është tejet i gatshëm për këto dy përballje, ku edhe tha se kjo është një mundësi e artë për Shqipërinë për të fituar grupin dhe për të shkuar në play-off.
“Ne e kemi për detyrë të jemi gjithmonë gati kur na thërrasin në Kombëtare. Kam ardhur me shumë qejf. Unë jam 100% gati, ashtu sikurse edhe çunat”, tha Hysaj.
“Jemi tre skuadra të forta, në një nivel të afërt. E shikojmë si një mundësi vërtetë sepse të gjithë e dimë që Rusia është një ekip me nivel të fortë dhe tani që mungon kemi më shumë mundësi për t’u renditur të parët dhe për të shkuar në play-off. E dimë që kemi një mundësi të artë që nuk duhet ta shpërdorojmë dhe ta shfrytëzojmë në mënyrat më të mira. E shohim si një dritare më shumë për të shkuar në play-off”, shtoi më tej Hysaj.
Kombëtarja e Shqipërisë ishte paraparë që të zhvillojë mbrëmë ndeshjen e parë në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Rusisë, por për shkak se kjo e fundit është përjashtuar nga garat, “kuqezinjtë” tani do të përballen të hënën si mysafirë kundër Islandës.