Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate (PSD), Zgjim Hyseni, ka thënë se pranimi i draftit të Asociacionit nga Albin Kurti, është bërë për të ruajtur karrigen e Kryeministrit.
Sipas Hysenit edhe me formimin e Asociacionit, konflikti në veri do të jetë i pashmangshëm, andaj ai kërkon që të ketë ripërcaktim të kufijve.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Hyseni ka thënë pushtetet në Kosovë e Serbi do ta kenë platformë.
“Nuk është ndonjë befasi. Ne e kemi pritur një gjë të tillë, jo pse kemi ndonjë aftësi parashikueshme por për shkak se kemi qenë të bindur që kur presioni rritet edhe kur presioni është aq i madh saqë vihet në diskutim vetë stabiliteti i pushtetit të kryeministrit, atëherë mes këtyre dy gjërave, kryeministri gjithmonë ka me zgjedh pushtetin e vetë që i bjen në llogari të formimit të Asociacionit. Problemi me Asociacionin nuk është se thjesht po bëhet një kompromis por problemi me të është që çdo herë po mbetet një konflikt i hapur i cili as nuk ka me siguru paqe të përhershme e as nuk do t’i rregullojë marrëdhëniet ndërmjet dy popujve. Për më tepër për shkak se Asociacioni është ndarje etnike ka me i largu popujt ndërmjet tyre, e më shumë se kjo Asociacioni ka me qenë në të ardhmen platforma populliste e pushtetit andej e këndej kufirit”, ka thënë Hyseni, teksa e përforcon edhe më shumë idenë për ripërcaktim të kufijve. Kjo gjë sipas tij duhet të bëhet për shkak të vullnetit të popujve në Luginë e në veri.
“Për neve ka qenë gjithmonë zgjidhje një shtrim i problemit së pari, që siguron paqe të përhershme. E paqja e përhershme është një zgjidhje që i mbyll krejt problemet e hapura midis nesh. Ajo është vetëm njohja reciproke edhe prej kësaj premise duhet të shihet nga duhet me i ra që me mbërri këtu. Ne besojmë që duhet me u pas parasysh vullneti politik i njerëzve në Luginë të Preshevës edhe në veri të Kosovës. Të dyja vendet kanë të drejtë për të vendosur ku duan të jetojnë”, ka thënë tutje Hyseni.
Ish-anëtari i VV-së, ka thënë se këtë temë nuk e mendon pala kosovare për shkak të mospranimit nga elektorati.
“Për neve zgjidhja e vetme është ripërcaktimi i kufijve edhe ne nuk mundemi me thënë që nëse themi se ju takon e drejta për vetëvendosje shqiptarëve të Preshevës, bash e njëjta e drejtë ju takon edhe serbëve të veriut. Unë e di që pala kosovare as nuk ka tentuar ta bëjë një gjë të tillë, për shkak se pala kosovare kur e trajton dialogun, e trajton gjithmonë duke e pasur parasysh koston publike edhe çfarë pranimi ka me pas ajo në publik”, u shpreh Hyseni.
/TV Malisheva