Përmes një postimi në Facebook, Fahri Xharra ka shkruar për të vetmin klub futbolli me emër shqip dhe me fanella kuq e zi në Kosovë, pra KF Vëllaznimin.
“KF Vëllaznimi nga Gjakova nuk ka pasur rastin të luajë në Ligën e Kampioneve apo në atë të UEFA-së, mirëpo lojtarët dhe talentët që dolën nga ky klub kanë luajtur në Champions League (Besnik Hasi, Ardian Kozniku) si dhe në Kampionatin Botëror 1998 (Ardian Kozniku, i cili mbrojti ngjyrat e Kroacisë)”, shkruan Xharra.
Ai theksoi se klubi me nënë kampionate të fituara në Kosovë, këtë vit shënon 80-vjetorin e themelimit.
“Klubi gjakovar apo krenaria e qytetit si e quajnë banorët është në majë të listës për nga titujt e fituar, mirëpo është gjithashtu i njohur edhe si një ndër klubet më të vjetra të Kosovës. Deri në vitin 1924 gjakovarët nuk kishin ndjerë “lezetin” e topit të këmbës, siç e quante Faik Dushi, njeriu e cili e zëvendësoi topin e improvizuar nga leshi dhe leckat me atë përnjëmend. Atëbotë topi e kishte sjellë nga kryeqendra e Kroacisë, Zagrebi ku ishte i punësuar. Topi i parë arriti, por ku të luhej me të kur nuk kishte fusha futbolli. Gjakovarët nuk lejuan të i “del” afati topit e të behet bajat andaj luanin me të në mëhalla dhe rrugica plot gurë.
Por, jo edhe për të ndalur reputacionin e këtij sporti si dhe dashurin ndaj tij në mesin e gjakovarëve. Nga brumi i quajtur Dushi, dalin gjenerata të reja, emra të rijnë siç ishte rasti i Hamdi Nuqit, golashënuesit më të mirë kuqezi të të gjitha kohërave në Kosovë, apo edhe Avni Zhubi i cili ishte një prej lojtarëve dhe sulmuesve kryesor të Prishtinë dhe ndihmoi atë për të u fut në ligën e parë të ish Jugosllavisë pasi që kaloj nga Vllaznimi”, shkroi Xharra në Facebook.
/TV Malisheva