Teksa grabitja e një shumë të pretenduar nga familja prej 500 mijë eurosh në 2019-ën në Fushë-Milot, kryefamiljari Taf Shabani lëshon akuza të forta për familjarët e tij. I moshuari, pohon se ka shumë dyshime se pas vjedhjes së kësaj shume qëndron familja e burrit të vajzës.
Ai tha për emisionin ‘Uniko’ se vajza e tij dhe dhëndri ishin në dijeni të kasafortës. “Kasaforta ishte në kat të dytë të shtëpisë. Në dijeni të kasafortës ishte vajza ime, Violeta. E ka ditur dhe Vaidi, dhëndri. Kasaforta kishte 15 vite aty.”, tha kryefamiljari. Avokati i familjes, pohon se familja ka dyshime se autor i vjedhjes mund të jetë kunati i vajzës së tyre (vëllai i burrit).
“Ata nuk kanë lënë asgjë. I kanë marrë krejt paret. Edhe letrat e shtëpive dhe të tokës. Më pas letrat i pruri vajza dhe burri i saj 3-4 ditë pas ngjarjes.”, tha kryefamiljari.
Ai tha se dyshimet për vajzën dhe burrin e saj nisën pasi ajo solli dokumentet e shtëpisë dhe të tokës. “Për vajzën dyshova se pruri tapitë e tokës dhe të shtëpive. I la mbi kasafortë. Dhe më pas ikën. I shkova te shtëpia atij vëllait të parë, dhe i thash; ta kam dhënë me zakone. Ta kam dhënë me dasmë. I thash; ‘Ma ka bërë vëllai jot’. Ai më tha; ‘ndaç priti, ndaç vriti. Bëj ça të duash me ta’ tha. I shkova dhëndrit te shtëpia dhe më tha; nuk di gjë. Vajza më thoshte; ku i ke provat?!”, pohoi ai.
Ndërkohë avokati shton se; “Disa persona kanë qarkulluar atë ditë disa herë, targat e tyre duhet të jenë kapur diku në kamera, por nuk janë përfshirë në hetime.”.
Duke iu përgjigjur pyetjes se ku i gjetën kaq shumë para, kryefamiljari pohoi se ai bashkë me 3 djemtë kishin punuar në ndërtim në Itali për shumë vite. “Kam qenë bashkë me djemtë në Itali. Kam pasur mbi 18 punëtorë në atë kohë. Merrnim shumë pare. Janë kursime familjare. Kam 3 djem. Të tre i kanë sjell këtu. Unë me dy djemtë e mëdhenj në 2005-2006 punonim shumë në Itali. Në bankë s’i çonim se si bankat në atë kohë. Donim të bënim një dyqan ose një ndërtim, ndaj i kishim ruajtur ato lekë.”, tha ai.