Volumi i ndërtimeve në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019, por edhe për shkak të rritjes në treg të çmimit të hekurit pas agresionit rus në Ukrainë, bënë që vlera e importeve të materialeve të ndërtimit të rritet ndjeshëm përgjatë 5-mujorit të parë të këtij viti.
Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, gjatë kësaj periudhe, importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve shënoi rritje vjetore prej 5.6 %.
Në vlerë, importet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve për këtë periudhë llogariten 57.2 miliardë lekë me një rritje mujore prej rreth 1.9 miliardë lekësh, dhe rreth 16 miliardë lekë më të larta se në të njëjtën periudhë të periudhë të 2021-shit, kur u importuan 41.1 miliardë lekë material ndërtimi dhe metale.
Në vitin 2021 llogariten 111.8 miliardë lekë, nga 78.2 miliardë lekë që ishin në 2020-ën.
Por qeveria thotë se rritja e ndjeshme e çmimeve për materialet e ndërtimit ka ngadalësuar ose ndaluar një pjesë të kontratave publike, pasi ecuria e mëtejshme do të shkaktonte humbje të ndjeshme të parikuperueshme për kompanitë e ndërtimit deri në falimentimin e tyre.
Duke analizuar zbatimin e buxhetit të shtetit për 5-mujorin, vërehet se niveli i investimeve publike me financim të brendshëm është ngadalësuar, duke arritur në 14 % të totalit të shumës së programuar për vitin 2022, nga 31 % që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Nisur nga kjo situatë, qeveria hartoi një Akt Normativ, përmes së cilit përcaktohen rregullat për kompensimin nga 5-30 % të çmimit të disa materialeve të ndërtimit që kanë pësuar rritje.
Gjatë diskutimit të këtij Akti Normativ, në Komisionin parlament të Ekonomisë dhe Financave, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave Adela Xhemali, tha se procedura e përcaktimit të kompensimit është përcaktuar me detaje dhe realizohet në formën e kontratës shtesë.
“Pagesa bëhet kundrejt punës së kryer dhe pas verifikimit të përdorimit të materialeve të përcaktuara në këtë Akt, mbështetur në situacionin e punimeve në faturën e blerjes. Kompensimi i operatorëve që përmbushin kriteret e këtij Akti Normativ bëhet nga 5-30 % të vlerës së kontratës”, shpjegoi Xhemali. /ATSH/