Shkruan: Jusuf M. Bytyçi

Po përfundon edhe viti i tretë i mandatit të dytë i Qeverisë Komunale të Malishevës, nga NISMA, por afër 400 nxënësit e SHFMU “Salih Bytyçi”, në Shkozë janë pa terren sportiv. Për dikë, apo edhe për shumë qytetarë që s’e dinë ku i bie ky fshat, kjo duket e pabesueshme!

Por, është fakt, që Shkoza, lokalitet goxha i njohur dhe shumë kontributdhënës në të gjitha periudhat, edhe në luftën Çlirimtare të UÇK-së, luftës dhe rrugëtimit për Liri e Pavarësi, nuk ka asnjë metër katror hapësirë për orët e Kulturës Fizike për afër 400 shkollarë. Shkolla nëntëvjeçare, e nisur në verën e vitit 2013, gjatë mandatit të PDK-së, ish-kryetarit të komunës Isni Kilaj, e përfunduar në kohën kur ministër i Arsimit ishte profesor Arsim Bajrami, po nga PDK, ka kushte të mjaftueshme për zhvillimin e procesit mësimor, por nuk ka sallë sportive.

Nuk ka as Fushë-terren të jashtëm sportiv! Madje, ambienti ku është prishur objekti paraprak shkollor, ende është pothuaj gërmadhë. Duket se komunarët e Malishevës, u kanë inat banorëve të Shkozës, që nuk ua dhanë votën në mandatin aktual. Inati ndaj banorëve të Shkozës, sidomos ndaj më se 400 nxënësve, u shtua këta muajt e vjeshtës, kur ndonëse nëpër lagje u shtruan disa rrugë të shkurtëra, dhe ishte planifikuar edhe nisja e 500 metrave trotuare për ecjen më të sigurtë të nxënësve, ky projekt i nisur mbrapsht, u ndërpre!

Tash që po i afrohemi dimrit, rruga nga hyrja në fshatin Shkozë e deri afër Shkollës, është ngushtuar nga tullat e betonit dhe zhavorri i derdhur për përfundimin e këtij mini projekti. Ankesat e banorëve të Shkozës, kryetarit dhe Kryesisë së fshatit, duket se kanë hasur në veshë të shurdhër, posaçërisht nga mungesa e kreut komunal të Malishevës, Ragip Begaj, ( ende në trajtim shëndetësor në SHSKUK).

Drejtori Komunal i Urbanizmit, Ahmet Morina, i cili një muaj më parë më pati treguar për disa pengesa që u kanë dalë nga Kryesia e fshatit, megjithë premtimin se trotuaret do të nisen dhe kryhen, nuk e mbajti premtimin! Kryetari i fshatit është ankuar edhe në sjelljen injoruese të nënkryetarit të komunës. Ndonëse e kam njoftuar me shqetësimin e banorëve dhe të prindërve të nxënësve, ai nuk gjeti kohë të vij e t’i shohë nga afër problemet e Shkozës, tha Luan Bytyçi.

Sipas banorëve të fshatit, të cilët kanë kryer edhe aksione vullnetare për të lehtësuar punët në trotuare, por edhe sipas shumë mësimdhënësve të shkollës së Shkozës, komunarët kishin në plan të nisnin trotuaret jo nga shkolla, por nga një lagje më larg shkollës! Kjo është kundërshtuar nga Kryesia e fshatit, pasi kjo mënyrë e punës shkel e shko, nuk arrinte të zgjidhte problemin parësor të sigurisë së nxënësve në rrugë!

Po ashtu plani shkel e shko i Drejtorisë së Urbanizmit, pa respektuar kriterin e domosdoshëm që trotuaret të jenë së paku gjerësi 1 metër, është fakt shqetësues. Madje aty ku është prishur edhe asfalti, skaj mureve të shtëpive e objekteve që nuk lejohet të prishen, nuk ka vend as gjysmë metre për trotuar.

Banorët e Shkozës, janë të zhgënjyer me këtë sjellje të drejtorit të Urbanizmit, por jo vetëm ndaj tij, pasi janë ankuar edhe në nisjen e projekteve tjera me simpati partiake…!

Qytetarët e revoltuar, kanë arsye edhe të kundërshtojnë këso tendencash të komunarëve, pasi janë taksapagues të shërbimeve komunale! Në këtë qasje të mbrapshtë të pushtetit komunal, duhet ndërhyrë kreu i NISMA-s, F. Limaj, pasi veprimet e tilla të dëmshme dhe inatçore të pushtetit, ndaj qytetarëve, janë thjeshtë keqpërdorim dhe papërgjegjësi.

Kështu, siç ka vepruar këtyre viteve, NISMA, në Shkozë do të pasojë edhe më!

Këtë keqpërdorim dhe sjellje, e dëshmojnë më së miri pamjet afër shkollës dhe në rrugën kryesore të fshatit Shkozë!

Share.