Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Institutin GAP, kanë publikuar sot raportin “Bujqësia në fokus: roli, impakti dhe keqpërdorimet e fondeve mbështetëse”.
Liron Gjocaj, hulumtues dhe koordinator në INDEP tha se ky projekt ka për qëllim monitorimin e institucioneve publike, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Projekti ka për qëllim të luftojë korrupsionin si dhe krimin e organizuar duke e bërë monitorimin e institucioneve publike përgjatë 5 komponentëve: Lëshimin e lejeve dhe licencave nga MMPHI, KPMM, ZRRE dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Shpërndarjen e Granteve dhe Subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, procedurat e prokurimit, rekrutimin në pozitat e larta si dhe ndërmarrjet publike”, tha ai.
Laura Nushi, gjithashtu hulumtuese dhe koordinatore në INDEP, ka theksuar se Ministria e Bujqësisë has në pengesa dhe barriera gjatë implementimit të skemave mbështetëse, megjithëse ka parakushte të favorshme në këtë fushë.
Njëra nga sfidat që përmendi Nushi, ishte edhe sfida e ushqimit, ku sipas saj mbetet ndër sfidat më të mëdha me të cilën përballet shoqëria jonë.
Ndërkaq, ajo vazhdoi me rigjetjet të cilat i kanë hasur gjatë monitorimit të ndarjes së subvencioneve.
“Ministria ende nuk ka rregullore apo plane që përcaktojnë qartë zhvillimin e aktiviteteve në aspektin kohor dhe procedural, po ashtu aprovimi i programeve shpeshherë vonohet duke shkaktuar vonesa në shpalljen e tyre deri te ekzekutimi i pagesave, mungesa e digjitalizimit, ndarja e parcelave, licensimi i veterinarëve si dhe regjistrimin e bagëtisë”, tha ajo.
E disa nga rekomandimet e projektit që i ofruan për përmirësimin e kësaj situate janë: të ulen kriteret për aplikim të subvencioneve dhe granteve, të përcaktohen afate kohore për përgatitjen dhe ekzekutimin e programeve dhe subvencioneve me qëllim të miratimit të programeve në kohën optimale të të mbjellurave sezonale, të kryhen kontrollet e rregullta dhe të hulumtohet tregu pas implementimit të skemës së granteve të subvencioneve të vitit përkatës.
Sikurse e tha edhe Nushi, Bujqësia duhet të jetë një ndër sektorët më me rol dhe më me zhvillim strategjik në Kosovë, pasi që 54% theksohet të jetë toka bujqësore në Kosovë.
/TV Malisheva