Njerëzit e vaksinuar plotësisht në Angli kishin tri herë më pak të ngjarë të ishin pozitivë për COVID-19 sesa ata që ende nuk janë vaksinuar, sipas një studimi nga Kolegji mbretëror në Londër, i kryer në 98.233 teste për koronavirus midis 24 qershorit dhe 12 korrikut.

Një total prej 0.63 për qind e testeve ishin pozitive, ose një nga 158, me pjesën e atyre pozitive në të pa vaksinuarit 1.21 për qind, dhe në plotësisht të vaksinuar 0.4 për qind.

Studimi gjithashtu thekson se rezultatet tregojnë se njerëzit e vaksinuar kanë më pak gjasa të transmetojnë virusin, në krahasim me njerëzit e pa vaksinuar, sepse sasia e virusit në trupin e tyre është më e vogël.

Sidoqoftë, disa autoritete dhe shkencëtarë britanikë bënë thirrje për kujdes, pasi qeveria lehtësoi të gjitha masat kufizuese më 19 korrik, përfshirë heqjen e mbajtjes së detyrueshme të maskave në disa hapësira të mbyllura.

Një dokument i qeverisë amerikane i zbuluar javën e kaluar paralajmëron se infeksionet në mesin e njerëzve plotësisht të vaksinuar nuk janë aq të rralla sa mendohej më parë dhe se njerëzit e vaksinuar mund ta transmetojnë lehtë virusin.

Paul Eliot, një profesor në departamentin e shëndetit publik të Kolegjit mbretëror, i cili drejtoi kërkimin, tha se rezultatet “konfirmojnë të dhënat tona të mëparshme që tregojnë se një dozë e dyfishtë e vaksinës siguron mbrojtje të mirë kundër infeksionit”.

“Sidoqoftë, ne mund të shohim se ekziston ende një rrezik infeksioni, sepse asnjë vaksinë nuk është 100 për qind efektive, dhe ne e dimë që njerëzit që kanë marrë të dyja dozat mund të infektohen akoma me virusin,” tha Eliot.

“Pra, edhe me lehtësimin e kufizimeve, ne ende duhet të jemi të kujdesshëm për të mbrojtur njëri -tjetrin dhe për të frenuar shkallën e infeksioneve,” shtoi ai.

Numri i rasteve ditore në Britani të regjistruara nga Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi ka rënë pas lehtësimit të masave. Ky trend habiti ekspertët të cilët parashikuan një rritje të madhe të numrit të të infektuarve./TV Malisheva

Share.