I vjedh portofolin burrit që u shtrua në spital me koronavirus dhe i zbraz llogarinë bankare në pak kohë. Rasti i infermierit shqiptar në Itali është shpërndarë gjerësisht në mediat vendase, duke e konsideruar një veprim të ulët.

Bëhet fjalë për një infermier 41-vjeçar, nga Shqipëria, i cili tani po hetohet në gjendje të lirë së bashku me të dashurën e tij 21-vjeçare, transmeton Panorama.

Ai i ka vjedhur në muajin mars portofolin një pacienti të moshuar me COVID-19. Sipas mediave italiane, më 13 mars, i moshuari, një 66-vjeçar nga Cividate al Piano (Bergamo), u shtrua në spital në zonën e Bergamos me simptoma të koronavirusit.

Infermieri, me banim në Boltiere (Bergamo), me ndihmën e të dashurës së tij vodhi portofolin e burrit, duke shpenzuar një shifër prej 6 mijë euro nga karta e tij e kreditit.

Shëndeti i 66-vjeçarit u përkeqësua më 18 mars dhe vdiq në repartin e kujdesit intensiv më 18 prill.

Anëtarët e familjes së viktimës panë lëvizjet e pazakonta në llogarinë bankare dhe u drejtuan me një padi në policinë lokale të Romano di Lombardia (Bergamo).

Hetimet identifikuan autorët.

“Një veprim i keq, në një moment tragjik, një abuzim i kryer ndaj një viktime”, tha kreu i policisë lokale, Arcangelo Di Nardo./Tv Malisheva

Share.