Skuadrat e mëdha vënë diktatin në takimet e Championsit këtë të mërkurë. Interi mori një fitore të vyer me rezultatin 2-0 ndaj Borussias së Dortmundit në “San Siro” me gola të Lautaro Martinez 22’ dhe Candreva 89’, pa harruar faktin që sulmuesi argjentinas i zikaltërve humbi një 11-metërsh në minutën e 83-të. Me këtë sukses skuadra e Contes zhvendos në vendin e tretë në Grupin F pikërisht Dortmundin, edhe pse të dyja skuadrat kanë grumbulluar nga 4 pikë.
Në krye të renditjes mbetet Barcelona, që fitoi 1-2 në fushën e Slavias së Pragës me gol të Messit dhe autogol të Peter Olayinkas, që e bënë të pavlefshëm finalizimin e Boril.
Në Grupin E Napoli dhe Liverpooli bënë detyrën duke mposhtur napolitanët Salzburgun 2-3 dhe “The Reds” Genkun 1-4. Dygolëshi i talentit norvegjez Haland nuk mjaftoi për austriakët, pasi për Napolin realizuan Mertens dy herë dhe Insigne. Ndërsa te Liverpooli shkëlqeu Oxlade-Chamberlain me dygolësh (shënuan gjithashtu Mane dhe Salah). Skuadra drejtuar nga Ancelotti mbetet e para me 7 pikë, ndërsa kampionët e Europës ndjekin me 1 pikë më pak.
Valencia, edhe pse kaloi ne epërsi ndaj Lille që në pjesën e parë me Cheryshev, por u largua me vetëm 1 pikë nga kjo transfertë, pasi në fund Ikone barazoi shifrat në 1-1.