Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden të premten do të udhëtojë për në Poloni, kjo si shkak i agresionit rus në Ukrainë që ka filluar mëngjesin e 24 shkurtit e që po vazhdon ende.
Udhëtimi i tij drejt Varshavës vjen pas takimeve që pati në Bruksel, Belgjikë me aleatët e NATO-s, G7 dhe liderët e Bashkimit Evropian, sipas një deklarate nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Biden do të zhvillojë një takim dypalësh me presidentin polak Andrzej Duda.
“Presidenti do të diskutojë se si Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, po i përgjigjen krizës humanitare dhe të të drejtave të njeriut që ka krijuar lufta e pajustifikuar dhe e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës”, tha Psaki, shkruan CNN.
/TV Malisheva