Lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq ka prezantuar përbërjen e qeverisë së re, e cila do të udhëhiqet nga mandatarja Ana Brnabiq.

Sipas medieve serbe, si zëvendës i Brnabiq dhe ministër i Punëve të Jashtme do të jetë kryetari i Partisë Socialiste (SPS), Ivica Daçiq.

Ajo se çfarë bie në sy është kthimi i ish-kryespiunit të Vuçiqit, Bratisllav Gashiq në krye të ministrisë së Punëve të Brendshme, që është drejtuar nga kontroversi Aleksandar Vulin, shkruan Telegrafi.

Gashiq që nga viti 2017 ka drejtuar Agjencinë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), pasi kishte qenë ministër i Mbrojtjes për dy vite, përkatësisht 2014-2016.

Ai pati dhënë dorëheqje nga posti i tij ministror pas një komenti seksist drejtuar një gazetari të televizionit B92.

Kujtojmë se Vulin personalisht pati organizuar përgjimin e opozitarëve rusë, duke konfirmuar se Qeveria e Serbisë është e gatshme t’i nënshtrojë shërbimet e saj të sigurisë ndaj Vladimir Putinit.

Serbia dhe Rusia në fshehtësi kanë formuar një grup të përbashkët pune për të luftuar kundër “revolucioneve me ngjyra”, detyra e të cilit është të shtyp demonstratat dhe organizimet masive të qytetarëve.

 

Share.