Gjykata Themelore në Pejë shpalli fajtor ish-ministrin e Shëndetësisë, Numan Baliq, për veprën penale sulm seksual duke e dënuar me dy vite burgim si dhe ndalim të ushtrim të profesionit si mjek.

Në aktakuzë thuhet se mbrëmjen e 12 gushtit të vitit 2020 rreth orës 22:00, Baliq në cilësinë e profesionistit shëndetësor, me dashje ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore të foshnjës së viktimës, e ka prekur me qëllim seksual, pa pëlqimin e saj.

“Me datë 12.08.2020 rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht ne zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdorë gjendjen shëndetësorë të foshnjës së të dëmtuarës, e prek të njëjtën me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë që natën kritike e dëmtuara duke qenë nënë dhe shoqëruese e foshnjës së saj të hospitalizuar, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut kujdestar, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij për t’u konsultuar dhe kinse për ta udhëzuar, e dëmtuara shkon pas tij dhe sapo ofrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore dhe e fut brenda në zyrë, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën, por që viktima arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç ‘rast e lajmëron rastin në polici”, thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale sulm seksual dje gjykata i shqiptoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej dy vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Si dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatjen prej 2 vite, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe të paushallit gjyqësor, gjykatës t’ia paguajë shumën prej 50 euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej 30 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, e dëmtuara është udhëzuar në kontest të rregullt civil./TV Malisheva

Share.