Jimmy Carter, ish-presidenti më i vjetër në jetë i SHBA, mbushi 98-vjeç.

Carter e kaloi datëlindjen të shtunën në shtëpi me familjen e tij, tha një zëdhënës i Qendrës Carter, raporton CNN.

Qendra Carter do të organizojë një sërë ngjarjesh virtuale për të festuar datëlindjen dhe trashëgiminë e ish-presidentit, dhe publiku është i ftuar t’i dërgojë atij një mesazh virtual përmes organizatës së tij jofitimprurëse.

Carter u bë presidenti më i vjetër i gjallë i SHBA-së në histori pas vdekjes së George W. Bush, në fund të vitit 2018 në moshën 94-vjeçare.

Vitet e fundit, ai nuk ka qenë shumë në publik për shkak të pandemisë së koronavirusit, por ka vazhduar të flasë për rreziqet ndaj demokracive në mbarë botën, që është misioni i tij i kahershëm.

Ai ishte një fermer kikiriku dhe toger në marinën amerikane përpara se të hynte në politikë, duke shërbyer përfundimisht një mandat si guvernator i Gjeorgjisë dhe si president i SHBA nga 1977-1981.

Ish-presidenti demokrat respektohet gjerësisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndërmjetësimi i tij i marrëveshjeve të Camp David me presidentin egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministrin izraelit Menachem Begin në vitin 1978 mbetet një pjesë e madhe e trashëgimisë së tij.

Pas mandatit të tij presidencial, Carter iu përkushtua më shumë të drejtave të njeriut dhe, së bashku me gruan e tij Rosalin, themeluan Qendrën Carter, me shpresën për të promovuar paqen dhe shëndetin në botë.

Qendra Carter ka punuar për vite me radhë për të avancuar demokracinë duke monitoruar zgjedhjet jashtë vendit dhe duke luftuar sëmundjet në vendet në zhvillim. Vetë Carter ishte një vullnetar për një kohë të gjatë për Habitat for Humanity.

Ai mori çmimin Nobel për Paqen në vitin 2002 për përpjekjet e tij për të promovuar paqen në mbarë botën.

Carter mposhti kancerin e trurit në vitin 2015, por u përball me një sërë problemesh shëndetësore në vitin 2019 dhe më pas iu nënshtrua një operacioni për të lehtësuar presionin në trurin e tij. Që atëherë ai është shëruar, por problemet e tij shëndetësore e detyruan të hiqte dorë nga tradita e tij prej dekadash e mësimdhënies në shkollën e së dielës në një kishë baptiste në vendlindjen e tij Plains, Georgia.

Rosalyn Carter festoi datëlindjen e saj të 95-të në gusht./TV Malisheva

Share.