Jeton Menxhiqi, i akuzuar nga Prokuroria se kishte ndërhyrë në një procedurë prokurimi për një tender në vlerë 730 mijë euro në gusht të vitit 2017, është përballur me provat kundër tij sot në Gjykatën e Prishtinës.
Ish-zyrtari policor, Jeton Menxhiqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ishte dënuar nga kjo Gjykatë në qershor të vitit të kaluar me 1 vit e 6 muaj burgim, por Apeli e ka anuluar këtë aktgjykim duke e kthyer çështjen në rigjykim, në shkurt të këtij viti.
Dënimi plotësues që i është shqiptuar Menxhiqit ishte edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike në periudhë kohore prej 2 vitesh, pasi ta vuante dënimin me burg.
Kurse, trupi gjykues i cili është duke rigjykuar çështjen përbëhet nga Alltën Murseli – kryesuese, Gëzim Ademi dhe Naser Foniqi – anëtarë.
Ndër provat të cilat u paraqitën të martën në Gjykatë ishin edhe dy CD me video-incizime, të cilat sipas Prokurorisë shfaqnin pamjet në të cilat i akuzuari bënte veprime të kundërligjshme – duke bërë ndërrimin e mostrave dhe lëvizjen e tyre.
Këto pamje janë marrë nga Departamenti i Teknologjisë Informative të Policisë së Kosovës dhe ishin pamje nga Zyra e Prokurimit, gjegjësisht te dhoma e vlerësimit të mostrave.
Kurse lidhur me këto pamje, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Rudari i tha trupit gjykues se nxjerrja këtyre incizimeve kishte qenë e jashtëligjshme dhe se të njëjtat do t’i atakonte sërish.
“Mënyra selektive dhe e plasimit të këtyre videove vetëm nga një sekuencë, nga të njejtat janë nxjerrë vetëm paragjykime” – tha Rudari në seancë.
Kurse prokurori zëvendësues i rastit, Bekim Kodraliu, tha se përmes pamjeve është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se i pandehuri ka bërë ndërrimin e materialit për operatorin “Artious Group SHPK”.
Përveç këtyre pamjeve të shfaqura u dëgjuan dhe dy dëshmitarë, Bekim Hoxha dhe Ilaz Kozhani.
Në kohën e kryerjes së veprës penale, Hoxha kishte qenë hetues i hetimeve paraprake të rastit në fjalë, kurse Kozhani administrator i sistemit të kamerave në Policinë e Kosovës.
Dëshmitari Hoxha tha se inicimi i rastit që po gjykohet ishte bërë nga drejtori i Departamentit për Shërbime Mbështetëse, Granit Fetahu.
Kurse vetë dëshmitari tha se e kishte bërë shkresën gati për prokurorin e shtetit, që ato CD-ja të dorëzohen në Laboratorin e Forenzikës.
Sipas Hoxhës, të gjitha veprimet e ndërmarra nga vetë ai ishin në pëputhje me nenin 19 të Ligjit për Inspektoratin Policor, kurse nxjerrja e pamjeve të kamerave thotë se ishte bërë për ta kuptuar se çka kishte ndodhur.
Pasi kishte dorëzuar shkresën në fjalë, dëshmitari Hoxha i tha trupit gjykues se kishte kaluar si hetues në Departamentin për Inteligjencë dhe si rrjedhojë nuk ka mundur të kryejë hetim mbi rastin në fjalë.
Ai u shpreh se nuk ka njohuri nëse dera e Zyrës së Prokurimit qëndronte e mbyllur me çelës, dhe se pamjet e CD-së nuk i kishte kontrolluar as nuk kishte parë pamjet e tyre.
Kurse dëshmitari Kozhani u shpreh se Granit Fetahu kishte kërkuar verbalisht nga ai që t’i nxirrte pamjet e kamerave të Zyrës më 11 gusht të vitit 2017, ndërsa më vonë kishte pasur një komunikim përmes emailit mbi realizimin e kësaj kërkese.
Pasi kishte qenë një sasi e madhe e incizimeve, dëshmitari tha se i është dashur që pamjet t’i bartte në një hard disk “external” me kapacitet të mjaftueshëm për ato pamje, duke shpjeguar edhe për procedurat e kërkesave që pranon Departamenti që punon ai.
“Kërkesat që vijnë te ne, zakonisht bëhen në formë të shkruar me email nga Inspektorati Policor ose nga ndonjë hetues i brendshëm, dhe i drejtohet ose direkt neve ose tek drejtori i Departamentit të Teknologjisë. Kërkesat ndonjëherë e përmbajnë edhe arsyen e kërkesës ose numrin e rastit që është duke u hetuar’ – tha ai gjatë dëshmisë së tij.
Tutje ai deklaroi se kamerat të cilat gjenden në hapësirat e ndjeshmë të Policisë së Kosovës, nuk monitorohen “live”, kurse për hyrje-dalje ka edhe sigurim fizik – policë statikë dhe dy kamera sigurie.
“Kur ka kërkesa për nxjerrje të pamjeve për hetime të brendshme nuk ka urdhëresa nga prokuroria ose gjykata, mirëpo vetëm kur kemi të bëjmë me çështje penale” – shtoi dëshmitari.
Gjykata në fund të seancës aprovoi propozimin e avokatit Rudari që të sigurohen edhe pamje të tjera që, sipas tij, janë prova shfajësuese për klientin e tij.
Seanca e radhës do të mbahet më 14 nëntor të këtij viti.
Pretendimet e prokurorisë
Aktakuza thotë se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, i akuzuari duke përfaqësuar Drejtorinë e Krimeve Ekonomike, në cilësinë e personit zyrtar si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante” për tenderin në vlerë prej 730 mijë euro ka bërë ndërrimin e mostrave të prokurimit në favor të operatorit “Artious Group SHPK”.
Sipas Prokurorisë, komisioni prej 3 anëtarëve kishte vlerësuar se asnjëri nga 8 operatorët ekonomikë që kishin aplikuar për tenderin në fjalë nuk i kishin plotësuar kushtet për fitimin e tenderit.
Aktakuza përshkruan se atëherë i akuzuari Menxhiqi në ora 12:42, deri sa ishte duke qëndruar në zyrë, merr çelësin në mënyrë të kundërligjshme dhe pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, në kohë të pauzës, ka shkuar në Zyrën e Prokurimit dhe ka ndërruar mostrat duke i vendosur mostrat e sjella nga jashtë në paketën e operatorit ekonomik “Artious Group” me qëllim që ky operator të fitonte tenderin sipas ofertës së tyre që ishte 506 mijë e 212 euro e 20 centë.
Kolegji i Gjykatës së Apelit i cili vendosi se kjo çështje duhet të trajtohet edhe njëherë për shkak të shkeljeve procedurale, faktike dhe materiale, përbëhej nga Burim Ademi – kryesues, Bashkim Hyseni dhe Tonka Berishaj – anëtarë.
Ankesë ndaj aktgjykimit dënues prej 1 viti e 6 muaj kishin bërë edhe Prokuroria, edhe mbrojtja e Menxhiqit.
/TV Malisheva