Ish-zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, Sandra Mitchell, gjatë dëshmisë së saj ka thënë se kishin marrë informata nga popullsia civile në Kosovë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ndalonte persona.
Dëshmitarja Mitchell tha se sa i përket funksionit policor që bënte UÇK, ata arrestonin kriminelë dhe persona të cilët i konsideronin si kolaboracionistë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Po sidomos në ato zona ku ishte operacionale UÇK-ja dhe kishte një perimetër dhe çka do të thotë, e kishin siguruar tokën dhe territorin dhe duhet të kalojë përmes pikave të kontrollit për të hyrë në këtë territor, ne e quanim zona ku nuk penetronin do të forcave serbe, kështu e njihnim ne përveç kur bënin sulme të drejtpërdrejta. Këto ishin zona të siguruara nga UÇK-ja dhe ata kryenin punën e policimit në këto zona, përpiqeshin të kërkonin një gjysmë shërbimi qeveritar. Sa takon punës së policisë që bënin ata, ata arrestonin kriminelët, por edhe arrestonin personat që i konsideronin si kolaboracionistë”, tha Mitchell.
Përgjigja e Mitchell, erdhi pasi përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Deborah Mayer e pyeti se a ka marrë informata apo raporte nga vetë banorët lidhur me persona të ndaluar nga UÇK-ja.
Lidhur me misionin e saj për monitorimin e të ndaluarve, Mitchell tregoi se si raportoheshin këto raste tek ata. Sipas saj, atëkohë vinin shumë informacione të drejtpërdrejta nga popullata civile.
“Kjo ka qenë një problem i madh për popullatën në të gjithë Kosovën në atë kohë. Prandaj, përfaqësuesit lokalë politikë na thonin, vetë anëtarët e familjes vinin në zyrat tona dhe raportonin që ishte zhdukur një anëtar i familjes, ishin shumë të shqetësuar sepse i përcillnin nga një organizatë ndërkombëtare tek tjetra dhe ndonjëherë kur shkonim në fshat, dëgjonim nga përfaqësuesit e fshatit se persona të ndryshëm janë të ndaluar ose tashmë janë të zhdukur”, tha Mitchell.
Mitchell i ndau në dy kategori se si bëheshin ndalimet në kohën e luftës kur edhe ajo ishte e ngarkuar me mision në Kosovë.
“Po i ndaj në dy kategori; një kategori ishin shqiptarë të Kosovës që hapnin një ditë derën, shkonte një polic-oficer serb, donte informacion, e merrte një nga anëtarët e familjes dhe e qonte në stacionin e Policisë, ka të ngjarë që ky person as të mos shihej më gjallë dhe krijoi përshtypje fillimisht që ky person ishte i ndaluar ose nga policia serbe, por kishte edhe raste kur kishte luftime në një zonë të caktuar dhe një person nuk kthehej më në shtëpi dhe në këtë rast këta persona klasifikoheshin si persona të zhdukur. Më pas dolën dhe raste, por jo në tetor-nëntor, por pas disa muajsh që kishim shkuar atje, disa javë, persona mbaheshin të ndaluar nga UÇK-ja. Kemi dëgjuar nga Policia Serbe se kishte oficer të Policisë Serbe që ata besonin që kishin mbajtur të ndaluar apo ishin nënarrestin e UÇK-së”, shpjegoi dëshmitarja Mitchell.
Ish-zyrtarja e OSBE-së në Kosovë, fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
(Përditësuar, ora 12:07)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitarja e 38-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Sandra Mitchell, me kodin 02116, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sandra Mitchell, tha se ka qenë e angazhuar në Misionin Verifikator (MVK) në kuadër të OSBE-së në Kosovë gjatë kohës së luftës. Ajo tha se për punën dhe aktivitetet e saj dhe misionit, i kanë raportuar një përfaqësuesi gjerman dhe ambasadorit Wiliam Walker, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë dëshmitare, ka filluar që ta marrë në pyetje përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Deborah Mayer.
Mitchell tha se misioni i OSBE-së në Kosovë, kishte ardhur si rezultat i një marrëveshje me Qeverinë e ish-Jugosllavisë.
“Ka qenë si rezultat i një marrëveshje në mes OSBE-së dhe qeverisë jugosllave apo serbe dhe mandati i tyre ishte të monitoronim armëpushimin në mes UÇK-së dhe forcave jugosllave apo serbe”, tha Mitchell.
Mitchell tha se puna e këtij misioni të OSBË-së përfshinte edhe monitorimin e qasjes tek personat e ndaluar tek gjykimet, shëndetësia, shërbimi publik etj.
“Puna fokusohej në qasje tek të ndaluarit, personat që ishin ndaluar nga forcat serbe, anëtarët e familjes që ishin të tronditur, që kërkonin personat që ishin zhdukur apo i kishte marrë policia. Bënim edhe një monitorim të gjykimeve në atë kohë. Po them, kishte shumë në thonjza, kishte raste terrorizmi që i gjykonin autoritetet serbe në gjykatat lokale. Kujdeseshim a kishin kujdes spitalor, a kishin drejt për polici, për gjyqësor, për shërbime publike. Këto ishin shërbimet që në atë kohë i drejtonin serbët dhe shqiptarët e kishin shumë të vështirë qasjen në këto shërbime. Këto kanë qenë aktivitetet e përditshmërisë, shihnim autobusët, pikat e kontrollit dhe çdo gjë që kishte të bënte me lëvizjen”, tha Mitchell.
Dëshmitarja Mitchell tha se si mision në Kosovë kanë pasur zyra rajonale në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren dhe Gjilan.
Dëshmia e kësaj dëshmitareje do të zgjasë rreth 2-3 ditë. Gjykatësi tha se përfaqësuesit nga ZPS-ja kanë paraparë 3 orë e gjysmë, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth 11 orë.
Halitjaha përfundon dëshminë në Hagë: I uroj sukses këtij procesi, liri çlirimtarëve
(Përditësuar, ora 11:56)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij disaditore dëshmitari i 36-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Sadik Halitjah, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fund të dëshmisë së tij, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se uron që dëshmia e tij të ketë kontribuar në këtë gjykatë dhe se iu uron liri të akuzuarve, duke i quajtur “çlirimtarë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Uroj që kam dhënë kontribut sado pak modest. Besoj që kanë qenë korrekte dëshmitë e mija dhe i uroj sukses këtij procesi dhe liri çlirimtarëve”, tha dëshmitari Halitjaha.
Pas marrjes në pyetje të dëshmitarit nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, me pyetje të tjera vazhdoi mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit, Gregory Keohe.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Keohe, dëshmitari Halitjaha tha se e ka parë Hashim Thaçin vetëm dy herë gjatë vitit 1998 dhe asnjëherë më vonë. Sipas tij, njëra prej këtyre herave është në oborr të Shtabit të Përgjithshëm dhe tjetra në Budakovë.
“…Budakovë edhe njëherë rastësisht e kam taku në oborr të Shtabit tek çeshmja, tek kroni… 2 herë e kam pa gjatë luftës”, tha dëshmitari, duke theksuar që këto dy herë kanë qenë në vitin 1998”, tha dëshmitari.
Pyetjet e avokatit Keohe u fokusuan edhe tek Blerim Kuçi, për të cilin dëshmitari tha se ka ikur rreth datës 22 apo 24 gusht 1998 në Shqipëri.
Së bashku me Kuçin, dëshmitari tha se janë larguar edhe ushtarët e tjerë të Brigadës 123.
“Ushtarët e Brigadës 123 kanë ikë bashkë…me vullnet kemi hy se ka qenë ushtri vullnetare, por nuk kemi pas të drejtë ta lëshojmë ne. Ikja në pabesi ndryshe është dezertim”, tha dëshmitari Halitjaha.
Dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument. Lidhur me të, Keohe pyeti dëshmitarin se a është njoftuar nga përfaqësuesit e ZPS-së se ka prejardhje nga serbët.
“Nuk më është tregu ky dokument. Nëse e kam pa dje, e kam pa, më herët nuk e kam pa”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Keohe.
Një dokument tjetër i cili iu prezantua dëshmitarit, ishte i datës 5 shkurt, për të cilin pretendohej se kishte ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm, mirëpo mbante nënshkrimin e Ekrem Rexhës i cili ndryshe njihej si Komandant Drini. Halitjaha tha se ky dokument mban emrin e Rexhës, mirëpo për atë ka nënshkruar Sylejman Kollçaku.
“Nuk mund të nënshkruhej nga Komandant Drini…Ky dokument nuk e ka strukturën e dokumentit të Shtabit të Përgjithshëm…Për Ekremin, ka nënshkru Sylejman Kollçaku. Sylejman Kollçaku ka qenë zëvëndëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut, ka qenë edhe pak ditë, pak ditë, më vonë ka ikë. Ky dokument nuk është përpiluar nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk është në dijeni që është mbajtur ndonjë mbledhje në Shtabin e Përgjithshëm.
Halitjaha thotë se nuk ka pas gjykata ushtarake dhe as objekte ndalimi në Zonën e Budakovës
(Përditësuar, ora 10:20)-Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë gjykatë ushtarake dhe as ndonjë objekt ndalimi në Zonën e Budakovës gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Guenawl Mettraux dëshmitari Sadik Halitjaha tha se nuk është në dijeni që kanë ekzistuar këto gjykata mirëpo është i bindur që nuk ka pasur pasi edhe sot pas më shumë se 20 vitesh nuk ka gjykata të tilla, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur se a ka ekzistuar ndonjë objekt ndalimi afër shtëpisë së një personi me emrin Lumi Palushi, dëshmitari tha se ka pasur vetëm ambulantë spitalore.
“Ka pas ambulantë mjekësore, shtëpi ndalimi nuk ka pas”, tha dëshmitari Halitjaha.
Halitjaha tha se as ai vetë nuk ka dhënë ndonjë urdhër arrestim për ndonjë ushtar.
Pas kësaj, gjyqtari Mettraux ka përfunduar pyetjet për këtë dëshmitar dhe me kundërpyetje ka vazhduar mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.
Trupi gjykues vazhdon edhe sot me pyetje për dëshmitarin Halitjaha në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari Saik Halitjaha në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Këtë dëshmitar po vazhdon ta marrë në pyetje trupi gjykues përmes gjyqtarit Guenawl Mettraux, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në përgjigjet e tij, dëshmitari Sadik Halitjaha pranoi se ka bërë kërkesa që të formoheshin gjykata që do të trajtonin masa disiplinuese për ushtarët, mirëpo theksoi se një gjë e tillë nuk është realizuar.
Ndërsa, për ushtarët të cilët kanë shkel rregullat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari tha se do të përjashtoheshin.
“Do ta demobilizonim, do të ia heqnim armën, uniformën dhe do ta përjashtonim nga UÇK-ja. Nuk kemi pas tjetër masë”, tha Halitjaha.
Sadik Halitjaha tha se nuk kishte dijeni nëse kanë ekzistuar gjykata të ushtrisë për çka theksoi se ndihet i indinjuar pse nuk e ka kuptuar atëkohë.
Pas kësaj gjyqtari i prezantoi dëshmitarit një dokument për të cilin tha se flet për një person me emrin Osman Berat Korpuzi dhe përmban një aktvendim nga Gjykata Ushtarake.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi
/TV Malisheva